nga Sebastian Zonja
Parimi epërsor i rendit amerikan në botën e sotme është se vendet e vogla janë të barabarta me ato të mëdhatë, ndaj burrështetasit e mëdhenj krijuan OKB-në dhe gjykatat ndërkombëtare për të kërkuar dhe gjetur të drejtën.
Logjika politike e emisarit special amerikan për Ballkanin perëndimor Gabriel Eskobar se një milion e gjysmë shqiptarë nuk mund të ndryshojnë trajektoren e Perëndimit është jashtë sensit të politikës zyrtare amerikane që mbron sovranitetet dhe të drejtat e njeriut. Kjo logjikë përkon me atë të emisarit Riçard Grenell gjatë administratës Tramp.
Dekatata e cituar:
“…nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysëm do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës”.
Fatkeqësisht, shumë medie opozitare ndaj Kurtit në Kosovë e mbajtën kryetitull këtë deklaratë. Në thelb, qorrsokaku ku Kurti ka futur veten me marrëveshjen e Ohrit që vuri në qendër Asociacionin dhe formulën e shprehur nga diplomati gjerman Volfgang Ishinger (e ndjekur nga Gjermania perëndimore dhe Lindore) duhet parë në dy aspekte:
- A ishte ky veprim korrigjim i Asociacionit të 2013-ës?
- Cilët janë instrumentet e presionit ndaj Serbisë nëse Kosova nis themelimin e vetëmenaxhimit?
Pakti franko – gjerman tashmë është bërë pjesë e rrugëtimit të Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
Sipas administratës Baiden, marrëveshja do të duhej të kishte në qendër njohjen reciproke. Pse nuk u arrit kjo në marrëveshjen e Ohrit?
Delegjitimi i statusit të kryediplomatit Borrel dhe emisarit Lajçak në dialog është strategji për të fituar pikë brenda në Kosovë, por që pak ujë pi në arenën ndërkombëtare. Nuk besoj se kjo jep fryte njëjtë siç dha për Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën. Janë dy realitete të ndryshme politike.
Ndërkohë, edhe nëse ndryshojnë lehtësuesit e dialogut, sërish, Ohri është aty bashkë me pikat e ndërmarra mbi supe për t’u zbatuar.
Ka tre rrugë:
- Të durojmë se diçka mund të ndryshojë në të ardhmen. Kjo është më e vështira dhe ndoshta jep fryte, por nuk ka një strategji se si do ta ndryshojmë situatën në favorin tonë.
- Të ulemi në një tavolinë të gjerë me gjithë faktorët politikë vendas për të koordinuar lëvizjet.
- Modeli Tramp: Ta çojmë në tavolinën e presidentit amerikan që të mbyllet si çështje.
Diçka për ilustrim në fund:
Mediet izraelite janë tejet kritike ndaj kryeministrit Benjamin Netanjahu se i ka çuar në pikën kritike marrëdhëniet me aleatin e tyre, Amerikën. Presidenti Baiden u takua në Nju Jork me kryeministrin izraelit duke treguar, sipas tyre, se në Dhomën Ovale nuk ka vend për aleatin. Pikëtakimi, sipas analistëve izraelitë, flet shumë në diplomaci (gjatë këtij samiti në OKB ne kemi bërë veç foto dhe i shesim si arritje e madhe). Izraelitët po bëhen gati për një marrëveshje historike me Arabinë Saudite, me ndërmjetësimin e Amerikës, dhe në Tel Aviv po bien kambanat se në një çast kaq delikat nuk mund të anashkalohet fuqia amerikane në rajon.



