Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor Arben Kingji zhvilloi një takim zyrtar me zëvendësambasadorin dhe të ngarkuarin me punë në ambasadën amerikane, z. David Wisner.
Takimi u fokusua në bashkëpunimin e suksesshëm në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes midis dy vendeve dhe forcave të armatosura.
Gjeneralmajor Kingji fillimisht i uroi mirëseardhjen zëvendësambasadorit dhe të ngarkuarit me punë në ambasadën amerikane, si dhe e falënderoi atë për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA ka dhënë dhe vijojnë të japin për Shqipërinë dhe Forcat e Armatosura.
Më tej gjatë takimit të dy bashkëbiseduesit u shprehën optimistë për arritjet e deritanishme, të cilat do të njohin progres edhe në takimin dypalësh në fushën e Mbrojtjes, që do zhvillohet këtë muaj në vendin tonë.
Zëvendësambasadori pasi falënderoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FARSH për pritjen, theksoi ndër të tjera se SHBA do të vijojë mbështetjen për modernizimin e FARSH, me qëllim që Shqipëria të japë një kontribut gjithmonë e më të madh për sigurinë, stabilitetin e paqen përkrah aleatëve të saj.