Qindra supermarkete në Francë janë goditur nga një sulm kibernetik që shkaktoi rritjen e temperaturave në frigoriferë dhe ngrirës, duke prishur sasi të mëdha ushqimesh të freskëta dhe të ngrira. Dëmi financiar vlerësohet në miliona euro, ndërsa autoritetet franceze kanë nisur hetimet për incidentin.
Sipas mediave të huaja, hakerët morën kontrollin e softuerit që menaxhon temperaturat e pajisjeve ftohëse, duke bërë që disa prej tyre të ngroheshin deri në 50 gradë Celsius gjatë natës. Sulmi preku disa nga zinxhirët më të mëdhenj të supermarketeve në vend.
Mbi 100 dyqane të rrjetit “Coopérative U” u vunë në shënjestër, ndërsa të paktën 300 dyqane të “Intermarché” dhe markës “Netto” u prekën, sipas agjencisë së lajmeve AFP. Probleme u raportuan gjithashtu në supermarkete të “Carrefour”, “Monoprix” dhe “E.Leclerc”.
Në qendër të sulmit ishte softueri i ofruar nga kompania daneze e inxhinierisë “Danfoss”, i cili u mundëson bizneseve të kontrollojnë dhe menaxhojnë nga distanca njësitë e tyre ftohëse.
Në kushte normale, frigoriferët dhe ngrirësit e supermarketeve kalojnë gjatë natës një cikël të shkurtër shkrirjeje, kur temperatura rritet lehtësisht. Në këtë rast, sipas raportimeve, hakerët urdhëruan pajisjet të ngroheshin dhe të qëndronin në temperatura të larta për një periudhë të zgjatur.
Kompania “Danfoss” bëri të ditur se pajisjet e prekura ishin modele të vjetra, të cilat përdornin softuer sigurie që nuk mund të përditësohej për të parandaluar një rrezik të identifikuar më parë.
Përmasat e plota të sulmit ende nuk janë përcaktuar, por shifrat e raportuara nga zinxhirët tregojnë se mund të jenë prekur rreth 500 dyqane, nga afro 15 mijë që operojnë në Francë.
“Carrefour” njoftoi se frigoriferët në 80 nga rreth 6 mijë dyqanet e tij ishin hakuar. Ndërsa “Monoprix” bëri të ditur se sulmi kishte prekur rreth 5% të më shumë se 400 dyqaneve të rrjetit. Në rastet kur siguria e produkteve nuk mund të garantohej, ushqimet u hoqën nga shitja.
Në një deklaratë për BBC-në, Grupi “Mousquetaires”, që zotëron “Intermarché” dhe “Netto”, tha se disa njësi ekspozimi për ushqimet e freskëta dhe të ngrira kishin mbetur jashtë funksionit pasditen e së hënës. Kompania theksoi se dyqanet kishin marrë masat e nevojshme për të hequr produktet e prekura dhe se stafi po punonte për të rimbushur raftet sa më shpejt të ishte e mundur.
Sipas Reuters, “Intermarché” raportoi se frigoriferët në dyqanet e prekura ishin ngrohur deri në 50 gradë Celsius për rreth gjashtë orë gjatë natës nga e diela në të hënë. Për të shmangur rreziqet shëndetësore, kompania bëri të ditur se kishte asgjësuar të gjitha ushqimet e prekura.
Kur menaxherët mbërritën në disa prej dyqaneve të hënën në mëngjes, u përballën me ajër të nxehtë që dilte nga pajisjet ftohëse. Sipas raportimeve, në disa pika u konstatuan edhe zjarre të vogla.
Prokuroria e Parisit ka nisur një hetim për krimin kibernetik, duke e cilësuar ngjarjen si një “sulm kibernetik në shkallë të gjerë që preku frigoriferët e disa rrjeteve të mëdha të shitjes së ushqimeve në të gjithë Francën”.
Edhe Komisioneri Evropian për Ushqimin, Christophe Hansen, dënoi sulmin përmes një postimi në platformën X, duke paralajmëruar për rëndësinë e mbrojtjes së zinxhirit ushqimor.
“Siguria ushqimore kërkon më shumë vëmendje në të gjitha nivelet, sepse shndërrimi i ushqimit në armë është bërë realitet”, shkroi ai.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i “Coopérative U”, Dominique Schelcher, deklaroi se stafi ishte mobilizuar plotësisht dhe po bashkëpunonte me specialistët e sistemeve të ftohjes për të rikthyer situatën në normalitet.
Ai kërkoi gjithashtu një hetim të plotë, duke e cilësuar si të papranueshëm shënjestrimin e pajisjeve thelbësore për furnizimin me ushqime. Hetuesit pritet të përcaktojnë përgjegjësit për sulmin dhe mënyrën se si u arrit të merrej kontrolli mbi sistemet e ftohjes.



