KLSH skaner ARRSH-së: Abuzime, tendera dhe zhdukje dokumentesh

Autoriteti Rrugor Shqiptar është një nga institucionet më të denoncuara në media në lidhje me tenderat që ka firmosur drejtori Ervis Berberi në vitet e fundit. Në muajt maj dhe korrik të këtij viti Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar dy raporte që ka zhvilluar brenda Autoritetit Rrugor Shqiptar. Nga analiza dhe kërkimet KLSH thotë se në ARRSH ka konstatuar zhdukje të dokumenteve të mbledhjeve të bordit drejtues, pagesa të dyshimta të anëtarëve të bordit, vendime pa rend dite, pa dokumentacion shpjegues dhe pa rezultat votimi etj.

“Rezulton se Vendimet e Bordit nuk kanë një rend dite të përcaktuar nga Kryetari si dhe nuk janë të shoqëruara me procesverbalet e mbledhjes.

Gjithashtu, disa nga Vendimet e Bordit, që i janë vënë në dispozicion grupit të auditimit, nuk kanë bashkëlidhur asnjë dokumentacion shpjegues në mënyrë që të kuptohet se mbi bazën e çfarë dokumentacioni apo informacioni është marrë vendimi.Edhe pse grupi i auditimit kërkoi vazhdimisht praktikën që duhet të ishte bashkëlidhur këtyre vendimeve, deri në përfundim të auditimit nuk u vu në dispozicion asnjë dokument“, thuhet në raport KLSH-ja.

Manovrat me tenderat apo ndryshimi i kontratave janë një tjetër problem që është ngritur nga KLSH. “Në kontratën me objekt shërbimi “Monitorim/ Supervizionim i katër Kontratave, Mirëmbajtje dhe Siguri Rrugore Bazuar në Rezultate” sipas amendimit nr. 7 me Nr.4765Prot. datë 16.05.2019 janë shtuar kontribute për një shofer 31 muaj dhe një përkthyese për 12 muaj.

Në ofertën fillestare nuk janë parashikuar. Për sa më sipër vlera prej 35,600 Euro pa TVSH (24,800 Euro shoferi + 10,800 Euro përkthyese) është përfituar më tepër nga konsulenti dhe përben dëm ekonomik në buxhetin e projektit”.

Gjithashtu largimet nga puna janë një tjetër problematikë që është ngritur. KLSH konstaton se “vlera totale prej 92,400 Euro të fituara nga punonjësit e larguar nga puna, deri në këtë shkallë të gjykimit, konsiderohet shpenzim pa ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet në buxhetin e shtetit e cila është në kundërshtim me Manualin e Operimit të Projektit” thuhet në raport. Këto janë vetëm një pjesë e shkeljeve. Në vazhdim redaksia do të vazhdojë që të publikojë shkeljet e tjera që janë konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit nga auditimi në ARRSH.

Latest articles

Related articles