Urbanistja Doriana Musai i është bashkuar sot nismës së PD, Aleanca Qytetare për Demokracinë.
Fjala e plotë
Të nderuar Zonja dhe zotërinj,
Une jam Doriana Musai, dhe kam privilegjin të jem e ftuar sot në këtë kuvend, duke mu dhënë nderi, të marr përgjegjësinë e fjalës.
Unë Jam pedagoge, jam urbaniste dhe aktiviste.
Për vite me radhë kam parë sesi janë ngritur kullat dhe kane rënë njerëzit; sesi betoni ka mposhtur qytetarin; sesi makutëria ka shkatërruar trashëgiminë, kujtesën dhe historinë tonë.
Për vite me radhë, kam dëshmuar se si ne, qytetaret, jemi përjashtuar nga vendimet mbi qytetet tona, vendbanimin tonë.
Na kanë injoruar në çdo rast;
kur kanë zhdukur kinematë, shkollat, sheshet, apo parqet e qyteteve tona;
Kur kanë shembur dhe plaçkitur teatrin!
Për vite me rradhë kanë dhunuar hapësirat, ato private e publike, duke shkelur shpesh,
përveç ligjit dhe kushtetutës, edhe të drejtat tona demokratike.
Ne, as jemi pyetur dhe as jemi dëgjuar;
as kur paqësisht kemi protestuar.
Zëri ynë është injoruar, dhe vullneti ynë është përçmuar.
Andaj, unë jam sot këtu, si pjesë e Aleancës Qytetare për Demokracinë, për të kërkuar bashkë me ju, ato ndryshime kushtetuese, që do të na lejojnë t’i japim vetes forcën për të vendosur, përmes referendumeve lokale dhe atyre kombëtare.
Sigurisht që, për të ndërtuar një sistem përfaqësues, demokratik dhe gjithëpërfshirës, jam e bindur që nuk është e lehtë, e megjithatë, është një përballje të cilës nuk mund t’i ikim.
Dorëzimi, nuk është opsion.
Unë besoj se, vullneti për të ndryshuar status quo-n është tek secili prej
nesh, i cili Shqipërinë e do!
Është tek të gjithë ne, që Shqiperinë e duam!
Me Zotin para, na priftë e mbara në ndërtimin e së ardhmes!