Skandali i puthjes, FIFA pezullon Presidentin Luis Rubiales

Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka vendosur këtë të shtunë të pezullojë nga të gjitha aktivitetet e lidhura me futbollin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, Presidentin e Federatës spanjolle të futbollit të femrave.

Luis Rubiales do të jetë i pezulluar për një periudhë fillestare prej 90 ditësh.

Vendimi i organizmit më të lartë të futbollit vjen pasi Rubiales në mbledhjen e djeshme të Asamblesë refuzoi të jepte dorëheqjen.

Zërat brenda futbollit spanjoll dhe qeverisë për dorëheqjen e tij nisën pasi shpërtheu skandali i puthjes në ceremoninë e ngritjes së trofeut të Kupës së Botës, ku Spanja fitoi përballë Anglisë.

46-vjeçari e ngriti në krah dhe e puthi në buzë sulmuesen 33-vjeçare të kombëtares dhe Barcelonës, Jennifer Hermoso, pa vullnetin e saj në stadiumin e Sydney-t.

Rubiales më pas u mbrojt duke thënë se nuk kishte qëllime të këqija dhe se të njëjtën puthje mund t’i kishte dhënë edhe vajzave të tij.

Madje në mbledhjen e Asamblesë ai tha se puthja ishte “e ndërsjellë dhe me pëlqim”, e madje shtoi se ka rënë “viktimë e një gjueti shtrigash nga feministet e rreme”.

Pas këtyre pohimeve të Presidentit reagoi edhe Hermoso, e cila tha mbrëmjen e djeshme se në asnjë moment nuk e ka pranuar puthjen e tij.

“U ndjeva e cenuar dhe viktimë e një sulmi, një veprimi impulsiv dhe maskulinor; një veprimi të pavend me asnjë lloj pajtimi nga ana ime. Thjesht, unë nuk u respektova”, deklaroi Hermoso.

Latest articles

Related articles