50 turistë paraqiten me shenja helmimi në spitalin e Vlorës

50 turistë të huaj dhe shqiptarë janë paraqitur me shenja helmimi në spitalin e Vlorës këtë të premte.

Të paktën 20 fëmijë të moshës 14 dhe 15 vjeç nga Polonia janë mes të helmuarve në qytetin e Vlorës.

Fëmijët mbërritën sot nga Shkodra me autobus në qytetin e Vlorës, dhe u nisën nga Karaburuni me një anije turistike drejt ishullit të Sazanit.

Mjekja e Spitalit të Vlorës është shprehur për mediat se janë rreth 20-25 fëmijë që kanë marrë mjekim, 6 prej të cilëve janë shtruar në pediatri.

Ndërsa drejtoresha e Spitalit të Vlorës, Bruna Mersini tha se situata është nën kontroll, por nuk mund të përcaktohet se çfarë e ka shkaktuar helmimin masiv.

“Fëmijët janë të moshës 14 dhe 15 vjeç. Fëmijët kanë udhëtuar gjithë ditën, kanë ardhur nga Shkodra pas udhëtimit kanë marrë anijen për në Karaburun. Janë paraqitur me çrregullime gastroindestrinale situata është nën kontroll. Pra është alerti që ne i japim situatës kur janë shumë fëmijë. Është hetim epidemiologjik. Këta janë fëmijë, edhe vapa mund ta ketë shkaktuar situatën, pa u bërë hetimi nuk japim dot të dhëna. Janë rreth 20 fëmijë”, tha Mersini.

Paraprakisht dyshohet se helmimi mund të jetë shkaktuar nga ushqimi i konsumuar në një restorant në Karaburun, ushqimi i hotelit, apo ushqimi që mund të kenë konsumuar në anijen turistike.

Për këtë ka nisur tashmë një hetim nga Drejtoria e Shëndetit Publik.

Pjesa tjetër e turistëve janë shqiptarë, italianë dhe turq, të cilët kanë marrë mjekim në spital dhe janë larguar.

Latest articles

Related articles