Nga Indrit Vokshi
Një ditë po shfletoja librin “The House of Saud” shkruar nga David Holden. David ishte korrespondent i The Sunday Times dhe u vra në vitin 1977 në aeroportin e Kajros. Krahas shkronjave, në libër ishin stampuar edhe fotografi.
Në një foto familjaro-politike të Saudëve shkrepur në vitet ’20, ishte edhe një eksponent i Anglo-Persian Shell, kompani e naftës.
Dua të them, Arabia Saudite është produkt i “politikës së naftës”. Iraku, produkt i politikës së naftës së viteve 1910-1930. Lufta e Parë Botërore ishte produkt i politikës së naftës, pasi Gjermania në aleancë me Perandorinë Osmane e cila sundonte në Irak, synonte të monopolizonte naftën në Mosul e Krikuk, duke krijuar edhe hekurudhë Berlin-Bagdad.
Në shekullin XX, nafta ka përcaktuar shumë zhvillime. Mall i ri i çmuar i cili përcakton fuqitë.
Për ta krahasuar; Winston Churchill në librin e tij “Britania në kohët e reja”, shkruan se Anglia ishte llucë. Zbulimi i kolonive i dha asaj zhvillim të hovshëm.
Koloni do të thotë zbulim i mallrave të reja vendimtare dhe kontroll mbi to, duke i forcuar pozitën vetes. Kokaina psh është një mall i tillë. Bota njeh edhe luftë për drogë si “Luftrat e Opiumit” ku Britania me flotën e East India Company i shpalli luftë Kinës sepse perandori kinez nxorri dekret që ndalonte ketë mall.
Sot ke luftra kundër shteteve të ndryshme të cilat tentojnë ta shtetëzojnë naftën.
Nuk kemi pse flasim nga pozita “anti-kolonialiste” pasi nuk zgjidhim asgjë. Duhet folur nga pozita realiste. Shtetet e vogla si ne, nuk kanë asnjë mundësi për të rezistuar për një mall kaq të çmuar si nafta, për tua refuzuar “ndërkombëtarëve”. Sepse sikurse e shkruajta, për një mall të çmuar, Fuqitë e Mëdha kanë nisur deri edhe Luftë Botërore. Kjo është natyra e shteteve, natyra e njerëzimit, konfirmuar nga historia dhe nga e sotmja.
Doni tu them populizma patetike “nafta i takon kësaj toke të larë me gjak..”, ua them por sdo të ndryshojë asgjë.
Në ketë pozitë historike ku ndodhemi sot, duhet të pyesim: nëse në Shpirag ka naftë cilësore, sa të talentuar janë shtetarët tanë për të negociuar me faktin se nafta ndodhet në territor shqiptar? Sa mundemi të përfitojmë politikisht dhe ekonomikisht për shtetin, si duke u pasuruar, si duke rritur pozitën strategjike?
Një shtet ka nevojë për politikanë lojtarë.k



