Mediat greke: Mitsotakis darkë me liderët e Ballkanit dhe BE. Shqipëria ftohet në nivel presidenti

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të takohen mbrëmjen e së hënës (21 gusht) në një darkë informale të organizuar nga Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Protothema raporton se ftesa i është dërguar dhe Presidentit të Shqipërisë Bajram Begaj, por ky i fundit nuk do të jetë i pranishëm në darkën informale.

Darka organizohet në kuadër të zgjerimit dhe të ardhmes europiane të rajonit. Nisma e kryeministrit shënon rolin udhëheqës që luan Greqia si një shtyllë e stabilitetit, paqes dhe sigurisë së energjisë në Ballkan dhe Evropën Juglindore.

Sipas së njëjtës media, bëhet me dije se ftesës së Mitsotakis i janë përgjigjur Presidentja e KE, Ursula Von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Kjo darkë vjen pak ditë pas rritjes së tensioneve mes Greqisë dhe Shqipërisë, për shkak të çështjes Beleri.

Pak ditë më parë, në Himarë u mbajt një protestë në mbështetje të Fredi Belerit, i cili prej 12 majit ndodhet në paraburgim, në të cilën merrnin pjesë Kryebashkiaku i Athinës dhe Selanikut. Në këtë protestë, dy kryebashkiakët paralajmëruan përkeqësim të marrëdhënieve shqiptaro-greke nëse nuk do të lirohej Beleri.

Ky paralajmërim solli gjithashtu edhe reagimin e Kryeministrit Edi Rama i cili theksoi se Greqia nuk duhet të ndërhyjë në vendimet e drejtësisë shqiptare.

Latest articles

Related articles