Kullat e Gangsterëve – Nga Indrit Vokshi

Viktor Hygo në librin Shën Maria e Parisit shkruan për shpikjen e shtypshkronjës së Gutenbergut. Ajo shtypshkronjë e revolucionarizoi komunikimin sepse e çoi mesazhin larg e masivisht. Mirëpo deri atëherë në 1436, njerëzimi nuk është se kishte qenë pa komunikim.

Një ndër format e komunikimit ishte arkitektura. Duke e ndërtuar kishën apo xhaminë në qendër të qytetit, duke e ndërtuar pallatin e mbretit më të lartë e më madhështor, shtëpitë e borgjezisë më të dalluara e më sqimtare, njerëzve u përcillej mesazhi se në shoqëri dominojnë mbreti e aristokracia, feja e kleri, dhe borgjezia. Pra shtresat sunduese të shoqërisë mesjetare, aristokracia, kleri, borgjezia, jepnin mesazhin nëpërmjet arkitekturës.

Tirana e Vjetër ishte konceptuar me në qendër xhaminë e Ethem beut dhe kishën ortodokse (të shembur) aty ku sot ndodhet 15 katëshi. Me Pazarin e Vjetër pranë, me ministritë stil italian dhe me Bankën e Shqipërisë përballë Pazarit. Në qendër ishin shteti, feja, tradita, tregtia. Ndërtesat më të larta ishin xhamia e kisha.

Sot në qendrën e Tiranës xhamia dhe kisha duken xhuxhe dhe të dhunuara, pazari nuk ekziston, institucionet e shtetit si ministritë apo banka, ngjajnë edhe ato të vogla e të parëndësishme parapara kullave gjigande.

Kullat sot, njëlloj si kishat e xhamitë apo pallati i mbretit në Mesjetë, na japin mesazhin se sundues në ketë shoqëri, janë politikanët shqiptarë, Edi Rama e Sali Berisha, me pseudonimet përkatëse pas të cilëve kanë fshehur pronësinë apo aksionet nëpër kulla.

Në Mesjetë ishin aristokracia, kleri e borgjezia. Sot janë politikanët, bosët e medias, krimi i organizuar.

Sunduesve të Shqipërisë nuk u ka mjaftuar revolucionarizimi i komunikimit, pra mundësia që mesazhin e tyre ta përcjellin përmes medias që zotërojnë.

Për të na treguar se po sundojnë, ata kanë ngritur në qendër të Tiranës, simbolet e pushtetit të tyre: Kullat. Ato kulla janë monumenti i pushtetit të kësaj klase të re sunduese, klasës postkomuniste.

Komunizmi në shumë vende i shembi kishat e xhamitë si dhe ndërtesat e vjetra sepse i shikonte si simbole të pushtetit të klasës së mëparshme sunduese. Shembi simbolet armikut. Sot në Tiranë kushdo që sheh kullat dhe kupton se kush i ka ndërtuar, merr edhe mesazhin se kush po na sundon.

Nëse kullat do të ishin ndërtuar në Kombinat apo Shkozë dhe në qendër të Tiranës do të mbeteshin të parelativizuara institucionet e shtetit e të fesë, njerëzit do të merrnin mesazhin se shteti sundon, pasi institucionet ruhen si solemne. Ndërsa sot duke zvogëluar xhaminë, kishën, institucionet, duke e paraqitur Gjykatën e Lartë si kotec pranë një kulle, jepet mesazhi se nuk sundon shteti, pasi ska solemnitet, nuk respektohet.

Kushdo që mund të thotë se kulla ka kudo në botë, duhet të dijë se në Washington nuk ka ndërtesë më të lartë se Shtëpia e Bardhë, Kapitoli apo Gjykata. Në Londër nuk ka kullë pranë kryeministrisë, në Romë nuk ka pallate në Vatikan. Sepse institucionet, ndër të tjera, respektohen edhe me solemnitet, pasi solmniteti shpërfaq së jashtmi një gjendje që ekziston së brendshmi.

Në Shqipëri është formuar Rendi Gangster dhe ndërtesat më të larta në qendër të kryeqytetit do të jenë Kullat e Gangsterëve, pasi ato janë monumenti i pushtetit të tyre.

Latest articles

Related articles