Një reflektim teorik, mbi “laissez-faire urbanistik” në Tiranën e kullave

Nga Enriketa Papa

Po ndjek marrëzinë e vizionit “post-modern” të zhvillimit urban të Tiranës ku “po ndërtohen kulla bazuar në marrëdhënie të sipërmarrjes së lirë mes pronarëve dhe investitorëve privat”. Qasje që shkruhen/reflektohen/justifikohen më 2023, dhe që pasqyrojnë mentalitetin e shek 19, ku besimi në “pa-limit” të zgjerimit dhe rritjes urbane, shpjegohej me besimin e progresit të “të bërit bisnes të lirë”. Kufizimet në planifikim urban konsiderohen arbitrare tek justifikohen me ekonominë e lirë të tregut që s’mund të kufizohej në ushtrimin e saj.

Kjo marrëzi e “laissez-faire urbanistik” më 2023, lë në hije aspektin social të zhvillimit organik të një qyteti dhe nevojave të qytetarëve të tij. Pikërisht ky aspekt u konsiderua që në fillimet e shek 20 edhe nga arkitektët si një mpleksje multidisiplinore dhe jo vetëm arkitekturore.

Në fillimet e shek 20 qasjet teorike mbi “urbanizmin si mënyrë jetese” ishin epitomat e shtjellimit të modernizimit.
Ndër diskurset sociale mbi urbanizmin dhe ndikimin e tij mbi jetën sociale dhe komunitatare në qytet, per shembull Lewis Mamford, shtjelloi konceptin e tij mbi “qytetin si teatër i jetës sociale” ku aspekti fizik i një qyteti, konsiderohej, aspekt sekondar, ndaj ai do të duhej “të plotësonte nevojat dhe funksionet sociale të njerëzve”.

Ndërsa Le Corbusier, arkitekti i modernizmit, përkundrejt qasjeve teorike mbi “qytetin modern”, e konceptonte arkitekturën si një loje të drites dhe trupave te ngurte. Për Le Corbusier, ishte detyra e arkitektit t’u japte jete siperfaqeve te ketyre trupave.
Produkti i qasjes së tij mbi planifikimin urban modern dhe “qytetin ideal bashkohor”, gjithësesi parashikonte që një qytet bashkohor, dhe ideal në mishërimin e parimeve të tija moderne, herë herë abstrakte, mbi arkitekturën dhe urbanizmin modern do të ishte ai me 3 ml banorë. Në të, Le Corbusier konsideronte

•Zhbllokimin e qendrës/qendrave të qytetit
•Shtimin e dendësisë
•Rritjen e numrit të mjeteve të transportit drejt qendrës
•Shtimi i parqeve dhe i hapësirave të hapura.

Në qendër të qytetit do të ishte stacioni qendror me gjithë infrastrukturën e tij të transportit.

Në drejtim veri-jug, lindje-perëndim do ishin arteriet kryesore të trafikut me rrugë të gjera.

Midis qiejgërvishtësve do të kishte sipërfaqe të mëdha të hapura, në të cilat ishin vendosur parqet dhe bulevardet e gjera. Këtu do të ishin vendosur kafenetë dhe restorantet, dyqanet e luksit, shtëpitë dhe apartamentet e shtrenjta. Aty duhet të ishin dhe teatrot, kinematë e institucionet e artit e kulturës. Po ashtu dhe parkingjet e makinave.

Qiejgërvishtësit do të shërbenin eskluzivisht për qëllime bisnesi.

Në qytet do ishin dhe godinat e administratës publike, muzeumet, zyra bashkiake dhe komunale. Më tutje në të ishte parku (qendror), që do të shdërtohej në mushkërinë e qytetit.
Në anën e arteries kryesore trafiku duhet të vendoseshin magazinat e mëdha (malls) dhe lagjet industriale me stacionet e tyre të mallrave.

Përqark këtij qytetit duhet të ishin zona e mbrojtur me pyje dhe fushat e gjelbërta.

Qyteti i Le Corbusier do të kishte 24 qiejgërvishtës.

Latest articles

Related articles