Pazari nr.2 i Foltores – Koncesioni i markimit të karburanteve shtyhet me një vit. 40 milion $ fitime

Qeveria Rama ka zgjatur në heshtje koncesionin e markimit të karburanteve, dhënë që prej vitit 2013-të nga Qeveria e Sali Berishës me një afat 10-vjeçar.

Afati i koncesionit përfundoi që në muajin gusht, por duke përdorur një klauzolë në kontratën e nënshkruar 10 vite më parë mbi datën efektive të hyrjes në fuqi, kompania arriti që ta zgjasë deri në fund të muajit qershor.

Qershori kaloi dhe markimi vijoi edhe për muajin korrik, ndërsa prej 1 gushtit të gjitha afatet e ushtrimit të veprimtarisë nga kompania janë tejkaluar. Megjithatë, me tejkalimin e këtyre afateve Voxnews.al mëson se nëpër pikat doganore vijon markimi i karburanteve.

Kompanitë importuese të karburanteve konfirmojnë se nëse nuk kryejnë markimin, atëherë nuk mund të zhdoganojnë produktin dhe ta hedhin atë në treg. Burime të shumëfishta të mediat thonë se procesi i markimit po kryhet sepse vendimi për zgjatjen e koncesionit me 10 vite është marrë dhe u është dorëzuar doganave zyrtarisht, edhe pse po zyrtarisht nuk është publikuar në asnjë kanal zyrtar komunikimi të Qeverisë.

Koncesioni i markimit të karburanteve u dha në vitin 2013. Në atë kohë e fitoi kompania GFI Albania me NIPT L31605014G. Kjo kompani zotërohet në 99.3 për qind të aksioneve nga kompania “Petroleum Consulting Partners LLC” dhe “Global Fluids International” me 0.7 për qind.

Nga të dhënat e dorëzuara në regjistrin e përfituesve fundorë, rezulton se pronare është shtetësja turke, Nerve Korkmaz e lindur në prill të 1968-ës dhe person i afërt me Sinan Idrizin. Ajo ka marrë pronësinë 100 për qind të koncesionit më 16 shkurt të vitit të kaluar, pas largimit të Ismail Mulletit, që zotëronte kompaninë Petroleum Consultin LLC.

Të dhënat sugjerojnë se transaksioni nuk është i rastësishëm dhe i përcaktuar nga lëvizjet e tregut, pasi për të humbur gjurmët e lëvizjes kompania Petroleum Consulting është çregjistruar nga Zvicra dhe është regjistruar në Delauare të SHBA, njohur si parajsë fiskale dhe i njëjti vend ku më parë ishte regjistruar kompania DH Albania, që përmes falsifikimit provoi të fitojë tender 20 mln eurosh te Unaza e Re.

Nga bilancet e dorëzuara në QKB koncesioni ka arkëtuar vetëm vitin e kaluar 4.1 milionë euro të ardhura nga markimi i karburantit, ndërsa në shtet derdh si tarifë koncesioni sipas kontratës 2.5 për qind të tyre, ose rreth 100 mijë euro. Blerja e kompanisë që zotëron koncesionin një vit nga përfundimi i kontratës duket e pazakontë.

Kjo ngre dyshimet se zgjatja e koncesionit, ndër më të sulmuarit nga Edi Rama në opozitë, ishte paracaktuar. Në atë kohë, Rama e konsideronte markimin një prej aferave më të mëdha korruptive dhe përfitues indirekt akuzonte se ishte Shkëlzen Berisha, djali i ish-Kryeministri Sali Berisha.

Latest articles

Related articles