Keqpërdori fondet e BE-së! Arrestohet kryebashkiaku në Bullgari

– Valentin Dimitrov, kryebashkiak i qytetit Toshevo në Bullgarinë verilindore është arrestuar në akuzën e keqpërdorimit të fondeve te Bashkimit Europian, të cilat ishin të destinuara për të rritur efikasitetin e energjisë në ndërtesat e banimit, njoftoi Zyra e Prokurorit Publik.

Mediat vendase raportojnë se janë kontrolluar ambientet e bashkisë dhe zyrat e nëpunësve civilë të dyshuar për përfshirje në krimet e hetuara. Priten intervistat e dëshmitarëve dhe të dyshuarve.

Hetimi ka të bëjë me një grant prej 169,000 euro të marra nga bashkia në periudhën 2017-2019 në kuadër të një projekti për rritjen e efiçencës së energjisë në ndërtesat e banimit me shumë familje, financuar nga BE. Projekti iu dha një kontraktori privat.

Provat e mbledhura tregojnë se zyrtarët qeveritarë të përfshirë në projekt, përfshirë edhe kryetarin e komunës, kanë paraqitur informacione të rreme për realizimin e punimeve të ndërtimit, të cilat nuk kanë përfunduar brenda afatit të caktuar.

Arrestimi i Dimitrov është i pari në Bullgari me kërkesë të zyrës së kryeprokurorit evropian, por jo një rast i panjohur në Shqipëri pasi vetëm pak kohë më parë nisi një hetim për abuzimet me fondet e dhëna nga Bashkimi Evropian për bujqësinë në Shqipëri gjatë viteve 2014-2020. Rreth 40 ekspertë pritet të vijnë në Shqipëri për të verifikuar destinacionin e fondeve të programit IPARD.

Brukseli njoftoi pak ditë më parë Shqipërinë për ndërprerjen e këtyre fondeve, pas një raporti të Zyrës Europiane kundër Mashtrimit, OLAF, institucion që heton dyshimet për abuzime me fondet e Bashkimit Europian. Hetimet trevjeçare të OLAF nxitën Komisionin Evropian që të pezullonte në mesin e korrikut programin më të rëndësishëm të ndihmës për bujqësinë në Shqipëri, për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Latest articles

Related articles