Kanabis në repartin e Zall Herrit| Reagon PD, Gjunkshi: Cënon rëndë imazhin e vendit në NATO

Ish Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi përmes një komunikimi publik ka reaguar për zbulimin e parcelës me kanabis në repartin e Zall Herrit.

Si ish Shef i Shtabit të forcave të Armatosura, shpreh keqardhjen e thellë për atë çfarë ka ndodhur në repartin e elitës ushtarake të Zall Herrit, të cilin kam patur nderin dhe përgjegjësinë ta drejtoj për një kohë të gjatë.
Së pari më lejoni që në respekt dhe në nderim të uniformës së shenjtë të ushtarakut, të ndajmë qartësisht dhe pa propagandë partiake, integritetin dhe profesionalizmin e lartë të forcave të armatosura nga interesat e ngushta të disa personave që duan të përfitojnë nga avantazhet e detyrës.
Së dyti, duke vlerësuar ndërhyrjen e policisë dhe reagimin e Ministrisë së mbrojtjes, mendoj se standardet e sigurisë në repartet ushtarake, duhen zbatuar në mënyrë rreptësisht rigoroze pasi në një vend anëtar të Natos nuk mund të tolerohet një shkelje kaq e rëndë ligjore dhe ushtarake. E paprecedentë që pjesë të influencave të trafikut të lëndëve narkotike të prekin territoret e reparteve ushtarake pasi, kjo situatë cënon rëndë pozitën dhe standardet e sistemit të mbrojtjes së Shqipërisë para aleatëve të Natos.

Ky rast i paprecidentë në historinë e Shtetit Shqiptar duhet ti nënshtrohet një analize të thellë të strukturave drejtuese të mbrojtjes dhe funksionarëve të sigurisë për një analizë dhe marrje masash të menjëhershme që situata të tilla të mos përsëriten më.

Latest articles

Related articles