Nga Neli Demi, psikoanalist
Duhet pranuar që një emërtim Kafkian i një operacioni anti korrupsion dhe anti krim si operacioni “Metamofoza” jep shpesë së paku për një prezencë më të rafinuar idesh dhe/apo personash në organet e drejtësisë. Nëse kjo rafinesë është e shoqëruar me kurajo e vendosmëri mbetet për tu konfirmuar. Ky është komenti më pozitiv që mund të bëj për çka po na sjell “Metamorfoza”. Çdo ndjesi tjetër që më prodhojnë lajmet mbi këtë operacion është trazuese deri në neveri e urrejtje. Jo më shumë për personat e botës së errrët të cilët “atë punë kanë zgjedhur”, por për ata persona që paguhen nga ne për të na mbrojtur nga ata të parët. Policë të thjeshtë “varfanjakë”, shefa anti-krimi, nëndrejtorë apo drejtorë komisariatesh, e lart e më lart nuk di ku do mbyllet zinxhiri i pjesnarrjes në vrasje, vjedhje, evazion e korrupsion. Nuk jam naiv që të mendoj që zinxhiri përfundon brenda forcave të policisë dhe politikës që i ka nën varësi. Kujtoj një thënie të Kryeministrit para se të ishte i tillë por edhe menjëherë sapo u bë i tillë të cilën po e perifrazoj: sistemi i korrupton njerëzit dhe jo njerëzit sistemin! E besoj një gjë të tillë! Dhe duke besuar këtë gjë mund të arrij vetëm në përfundimin që ky sistem që është ndërtuar ka bërë të mundur një korruptim kaq masiv saqë ka depërtuar dhe është normalizuar thellë në subkoshiencën e këtij populli. Po si një person e profesionist që shpreson thellësisht në ridimensionimin e subkoshiencës, shpresoj dhe jam i bindur që edhe kjo gjë mund të ndryshohet. Vetëm se do shuuuumë kohë dhe energji!! Dhe sidomos vendosmëri për ta ndryshuar!!!