Ish-presidenti amerikan Donald Trump u padit me akuza penale federale për rolin e tij në ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, aktakuza e tretë me të cilën përballet ish-presidenti, ndërsa ai po zhvillon një tjetër fushatë për Shtëpinë e Bardhë.
Prokurori i posaçëm Jack Smith siguroi një aktakuzë në këtë rast nga një juri e madhe në Uashington, DC, duke përshkruar në mbi 45 faqe një komplot të gjerë për të përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, që u shënuan nga një trazirë e dhunshme në Kapitolin e SHBA më 6 janar 2021.
Smith e akuzoi ish-presidentin me katër pika:
komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës
komplot për të penguar një procedurë zyrtare
pengimi dhe tentimi për të penguar një procedurë zyrtare
konspiracion kundër të drejtave të votuesve, duke iu referuar atyre që mbështetën kundërshtarin e Trump në zgjedhje, presidentin aktual Joe Biden
“Sulmi ndaj Kapitolit të kombit tonë më 6 janar 2021, ishte një sulm i paprecedentë ndaj selisë së demokracisë amerikane”, tha Smith në një deklaratë për shtypin.
“Siç përshkruhet në aktakuzë, ai u nxit nga gënjeshtra nga i pandehuri që synonte të pengonte një funksion themelor të qeverisë amerikane, procesin e mbledhjes, numërimit dhe certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale në vend”, theksoi Smith.
”Zyra ime do të kërkojë një gjyq të shpejtë”, shtoi ai, duke treguar qëllimin e tij për ta nxjerrë Trumpin në gjyq shumë përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2024.
Ai gjithashtu vuri në dukje se hetimi është në vazhdim, duke sugjeruar që të tjerët që ndihmuan Trump mund të akuzohen për rolet e tyre në komplot.
Aktakuza, e lëshuar dje në mbrëmje, vë në dukje se ish-presidenti bashkëpunoi me gjashtë bashkëpunëtorë të paidentifikuar.
Trump akuzohet se ka rekrutuar katër avokatë, një zyrtar të Departamentit të Drejtësisë dhe një konsulent politik për të përhapur pretendime të rreme për mashtrim në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, duke përdorur nënpresidentin Mike Pence në një përpjekje për të penguar certifikimin e rezultateve të Kolegjit Zgjedhor, duke u përpjekur për të përdorur qeverinë amerikane të hapë hetime të rreme për krimin zgjedhor dhe të zbatojë një plan për të paraqitur fletë mashtruese votimi të zgjedhësve presidencialë.