U vu në pranga me urdhër të Hagës, ja deklaratat që sollën arrestimin e Goxhajt

Dritan Goxhaj dhe Nazlie Balaj, aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje, Këshilltare e Ministres së Drejtësisë së Kosovës
Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkuan edhe shtetas të Shqipërisë. Njëri prej tyre ishte Dritan Goxhaj. Ai u bë pjesë e UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit bashkë me të atin, Dilaver Goxhaj. Ky i fundit njihej në luftë si komandant Golemi. Babai i tij ishte zv/shef i Shtabit të UÇK-së dhe bashkë me të birin shkuan vullnetarisht në luftë (1998-1999).

Dritan Goxhaj ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri

Por një ditë më parë Dritan Goxhaj u arrestua në Shqipëri.

Ky paraqet rastin e parë të arrestimit të një shtetasi shqiptar me urdhër të Dhomave të Specializuara, që veprojnë në Hagë me ligjet e Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

Gjykata e Posaçme e cila u themelua nga parlamenti i Kosovës, pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, që përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Deklaratat që sollën arrestimin e Goxhajt

Në 2 janar të këtij viti, Ish-drejtuesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dritan Goxhaj ka deklaruar se Nazlie Balaj, këshilltare e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është dëshmitare e mbrojtur të Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Në shkrimin me titull “Mëmëdheu, UÇK-ja dhe gjykata speciale”, i cili është publikuar në KosovaPress, ai ka shkruar se Balaj është e afërme e njërit prej viktimave për të cilin është dënuar nga Gjykata Speciale ish-eprori i UÇK-s, Salih Mustafa.

“Dëshmitari i tretë, edhe ky i mbrojtur dhe i fshehur, quhet Nazlie Balaj”, pretendon ish-oficeri i UÇK-së, në shkrimin e publikuar.

Përveç Nazlie Balës, ai ka përmendur edhe disa emra tjerë.

“Kjo është këshilltare e Ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës. Përveç faktit që është e afërme e viktimës, askush nuk i bie dot në fije se si ka mundur kjo të jetë dëshmitare për një ngjarje të cilën ajo vetëm e ka dëgjuar”, ka shkruar Goxhaj.

Nazlie Balaj, aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje, Këshilltare e Ministres së Drejtësisë së Kosovës

Reagimi i Balajt, këshilltares së Ministres së Drejtësisë

Nazlie Balaj, aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje, reagoi në lidhje me deklarimin e Dritan Goxhajt, ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili e akuzoi se ishte dëshmitare e mbrojtur e Prokurorisë së Sepcializuar në Hagë.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, zonja Balaj, që është këshilltare e Albulena Haxhiut, ministre e Drejtësisë, e mohoi një gjë të tillë.

“O nuk kom lidhje me këtë punë, as nuk po e di çka më ju thonë, a po e din me ta vu jetën në rrezik është shumë shqetësuese edhe atë se çfarë shkruajnë mediat. Ju lutem, nuk kam të bëjë asgjë me ketë temë, absolutisht asgjë. More nuk kam të bëj asgjë me këtë” – tha zonja Balaj.

Për çfarë u dënua Salih Mustafa në Hagë?

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar të premten (16 dhjetor 2022) nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Ai është dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme.

“Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, ka thënë kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.

Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky njëherësh është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Kryegjykatësja Veldt-Foglia, ka thënë para shpalljes së vendimit se ka mendime të gabuara se akuzat janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës.

“Në asnjë moment nuk është gjykuar UÇK-ja”.

Ajo ka thënë se viktimat që kanë marrë pjesë në procesin gjyqësor kundër Mustafës janë të frikësuar për veten dhe familjarët e tyre, dhe ende janë të traumatizuar për gjërat që kanë përjetuar.

Në përmbledhje të aktgjykimit, Veldt-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse.

“Dëshmitë e kanë konfirmuar njëra-tjetrën”, ka thënë ajo.

Më herët, pranë këtij institucioni janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

Proceset e tjera gjyqësore të Gjykatës Speciale

Përveç Mustafës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi, dhe Shala dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Në fillim të muajit prill nisi procesi gjyqësor kundër ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarë të lartë politik, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, të gjithë ish udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Aktualisht po zhvillohet edhe procesi kundër ish pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, i akuzuar për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Që të gjitha i kanë mohuar akuzat, të cilat kanë nxitur reagime në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999.

Lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare./GazetaSI

Latest articles

Related articles