Atdheu “kushton” sa një rrogë në fund të muajit

Nga SEBASTIAN ZONJA

Në vitet ’90 nuk e kthyen pronën. Duke mos e kthyer nuk i vunë vlerë asaj. E duke mos pas vlerë prona, nuk pati vlerë as kontrata. Thuajse gjithë shteti i së drejtës në Perëndim është krijuar mbi pronën private dhe zbatimin e kontratës.
Sot, ndërsa pronat janë gjullurdi e madhe, ku secili merr truall në bregdet e kudo, si ta ketë për mbarë, jemi të lidhur me atdheun vetëm nga rroga.
Pra, jemi rrogëtarë në atdheun tonë të përbashkët. Jemi rrogëtarë. Me atdheun na lidh rroga. Ec e gjeje tani se si do të rrijnë shqiptarët në këto troje – Fshatrat zbrazen, qytetet zbrazen, shkollat zbrazen, universitetet zbrazen.
Kur e mendon, çfarë ndryshimi mund të ketë një nga këta investitorët strategjikë të sotëm që porosisin vrasje me mesazhe nga ai pashai apo beu që përshkruan Mitrush Kuteli te “Vjeshta e Xheladin beut”.
1 shekull shtet dhe kemi parë veç ndryshime klimatike, se asgjë tjetër nuk na ka ngrohur apo ftohur.
E nisim historinë tonë si shtet me një klasë politike që ngjan se i mbeti në dorë ky territor. Një klasë politike që shpall pavarësinë mbi një procesverbal mbledhjeje. Klasë politike dhe intelektuale që nuk diti të hartojë një tekst pavarësie.

Klasë politike i thënçin.

Pasi foli Ismail beu, ne ramë dakord që…
Kjo është pavarësia jonë. Kështu është deklarata jonë një paragrafëshe.
A nuk vijon kështu historia:

Pasi foli Mbreti, ne ramë dakord
Pasi foli Diktatori, ne ramë dakord
Pasi foli Berisha, Nano, Rama… ne ramë dakord…

E paratha pavarësia. Të gjithë duke firmosur me gisht ku na thotë kryetari.

Po si na humbin të gjitha letrat e rëndësishme neve?!
Humb letra e fletores ku u shpall pavarësia. Humb ajo e themelimit të Partisë Komuniste. Humb edhe ajo e PD-së në vitet ’90.

Unë mendoj se nuk humbin letrat, por i kanë grisur këta burrat e mëdhenj. Njëri donte të fuste xhaxhain në letrën e pavarësisë; tjetri e ka sjellë demokracinë çdo vit me persona të ndryshëm; njëri luftoi me tradhtarët, se të tillë i shpalli gjithë partizanët e ballistët; e njëri, më herët në histori, fillon e flet për Shqipërinë vetëm muajt e fundit në kujtimet e veta…

Rri e rri e mendohem dhe ndër të vetmit me kandar të saktë dhe mendje në vend del Lasgush Poradeci. Thosh shpeshherë në biseda “kur e vramë Vinçenc Prenushin”. Thonë se një herë ja tha Malos. Malo Kadareja sa nuk vdiq. Ca thonë se desh u mbyt në liqer, e ca thonë se nuk e vuri ujt në zjarr fare se nuk e kuptoi ç’po thosh Lasgushi.

Mendohem – çfarë e lidhte Lasgushin me priftin? Pse mbante përgjegjësi poeti i madh për vdekjen e klerikut fisnik? Kam kaq kohë që e mendoj pse s’kemi deklaratë pavarësie, pse s’kemi deklaratë demokracie, pse na lidh rroga me atdheun, pse i tha ashtu Lasgushi Malos?

Latest articles

Related articles