Papa Françesku: nga 2 gushti në Lisbonë për DBR-në, nga Fatima, mesazh paqeje për botën në luftë

Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, paraqiti para mediave DBR-në tashmë të afërt në Lisbonë, ku Papa do të jetë më 2 deri më 6 gusht për shtegtimin e 42-të ndërkombëtar. Deri tani janë regjistruar më se 330,000 të rinj, nga 200 vende
R.SH. / Vatican News

Nga data 2 deri më 6 gusht, Papa do të jetë në Lisbonë për Ditën e 37-të Botërore të Rinisë. Të shtunën, më 5 gusht, Papa do të ndalet në Fatima, vend simbolik ku i besohen Marisë Virgjër dhembjet e botës së shkatërruar nga konfliktet. Papa Bergoglio, siç shpjegoi zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, në një konferencë për shtyp, do të mbajë në Portugali njëmbëdhjetë fjalime gjatë pesë ditëve, të gjitha (përveç atij me autoritetet dhe shoqërinë civile që do të jetë në italisht) në spanjisht, “gjuhë familjare për Papën”, me të cilën do të mund të arrijë më shumë njerëz”.

Së bashku me Papën e moshuar, që u operua qershorin e kaluar në zorrë, në spitalin Gemelli, do të udhëtojë, si zakonisht, edhe ekipi i tij mjekësor. ”Gjithçka do të jetë si gjithmonë – pohoi Bruni – si në aspektin e personelit, ashtu edhe në atë të vëmendjes. Do të bëhet siç është bërë gjithmonë”. Ky i Portugalisë do të jetë shtegtimi i 42-të ndërkombëtar apostolik i Papës Bergoglio. Për herë të dytë Françesku do të jetë në Fatima, ku ishte edhe në vitin 2017, me rastin e njëqindvjetorit të Dukjeve mariane. Një etapë, që Papa donte t’ia shtonte DBR-së 2023 e që ka rëndësi të madhe. ”Shenjtërorja e Zojës së Bekuar në Fatima është vendi – kujton zëdhënësi i Vatikanit – ku Marisë Virgjës i besohen dhembjet e botës”.

Papa Bergoglio, i cili këtu do të mbajë një fjalim dhe një lutje, do t’ia besojë Zojës Bekuar shqetësimet e të rinjve dhe do t’i drejtojë mbarë njerëzimit një mesazh të ri paqeje për “Ukrainën e munduar” dhe për konfliktet e tjera në botë.

Papa do të shoqërohet nga Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën, Kardinali Kevin Farrell; nga ‘ministri i kulturës’ së Vatikanit, Kardinali Jose’ Tolentino; nga prefekti i dikasterit të Vatikanit për ipeshkvij, imzot Robert Prevost, që në shtator do të jetë ndërmjet kardinajve të rinj, dhe një punonjës i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit. Në DBR-në e Lisbonës, parashikimet flasin për një milion pjesëmarrës!

“Në korrik u regjistruan më shumë se 330,000 të rinj nga më se dyqind vende të ndryshme të botës” – pohoi zëdhënësi i Vatikanit Bruni, duke shpjeguar se këto shifra janë të destinuara të rriten edhe sepse shumë të rinj do të mbërrijnë në DBR-në pa u regjistruar. ”Lisbona është qytet kozmopolit, që i premton botës një mori kuriozitetesh. Ka shumë mundësi që në takimin me kombin portugez Papa të flasë për Evropën dhe nevojën për t’i hapur portat”. Ndërmjet çasteve kyçe të DBR-së, Nata e madhe e festës me të rinjtë, e kryesuar nga Papa, të shtunën në mbrëmje, në Parque Tejo, fusha e hirit.

Latest articles

Related articles