TIRANE- Pas vendimit të marrë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, për të mbledhur ditën e enjte Këshillin Kombëtar të PD-së, një reagim është përcjellë nga Indrit Stefa. Ai tha se kjo nuk është kompetencë e tij, dhe se nuk ka të drejtë.
I ftuar në “Euronews Albania”, Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Indrit Stefa, tha se një vendim i tillë është nul, pasi në asnjë nen të Statutit, Sekretari i Përgjithshëm nuk ka të drejtë të mbledhë Këshillin Kombëtar. Më tej ai sqaroi se për t’u mbledhur Këshilli Kombëtar, duhet që ¼ e anëtarëve t’i dërgojë kërkesë Kryesisë. Më tej, Kryesia shqyrton kërkesën dhe miraton datën për mbledhjen e Këshillit Kombëtar.
“Me çfarë kompetence e ka thirrur z. Bardhi? Lexoni statutin dhe më thoni në cilën dipozitë thuhet se Sekretari i Përgjithshëm ka të drejtë të mbledhë Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike. Sekretari nuk e mbledh Këshillin Kombëtar. Për t’u mbledhur Këshilli Kombëtar, duhet që ¼ e anëtarëve t’i dërgojë kërkesë Kryesisë për t’u mbledhur Këshilli Kombëtar. Kryesia shqyrton kërkesën, shikon nëse janë anëtarë të Këshillit dhe nëse janë të tillë miraton datën për mbledhjen e Këshillit Kombëtar”, tha Sefa.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, njoftoi se do të mbledhë Këshillin Kombëtar të PD-së, pas kërkesës së 7 deputetëve për anulimin e zgjedhjeve për kryetar. Mbledhja parashikohet të mbahet në orën 19:00, ndërsa në njoftimin e bërë publik për mediat sqarohet se Bardhi e ka thirrur mbledhjen bazuar në kompetencat që i njeh Statuti. Mbledhja parashikohet që të zhvillohet online, dhe për organizimin e saj Sekretari i Përgjithshëm ka ngarkuar Sekretariatin e Këshillit Kombëtar.



