Sot zgjedhje në Rrogozhinë! Memolla dhe Hoxha sërish në garë për votat e qytetarëve

Mbahen këtë të diel (23 korrik) zgjedhjet e pjesshme lokale vetëm për kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës.

Përballë janë dy kandidatët, ai i Partisë Socialiste, Edison Memolla dhe i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.

Zgjedhjet mbahen vetëm për kryetarin e bashkisë, për shkak se Kolegji konstatoi në hetimin gjyqësor se rezultati i 14 majit ishte aq i ngushte sa mund të cenohej nga numri i votave që mbante një kuti votimi.

Rreth 31 mijë banorë të Bashkisë Rrogozhinë, pritet të votojnë ku sipas përcaktimeve të Komisionit Qendror, 54 qendra votimi janë vënë në dispozicion të qytetarëve.

Shkak për ripërsëritjen e procesit u bë kutia e votimit në institucionin e vuajtjes së dënimit në Rrogozhinë, ku rezultoi se numri i votave ishte më i madh se ai i diferencës mes dy kandidatëve. Ndryshe nga 14 maji, të burgosurit nuk do lejohen të votojnë për shkak të afateve kohore.

Ndërsa për Këshillin Bashkiak, fituese është Partia Socialiste me 9 mandate dhe diferenca mes partisë qeverisëse dhe opozitës është shumë më e thellë se në rastin e garës për kryebashkiak.

Procesi ka nisur në orën 7:00 të mëngjesit dhe mbyllet në 19:00 të mbrëmjes.

Latest articles

Related articles