Shabani: Sulmojnë SPAK sepse e di që radhën do ta ketë Berisha bashkë me Metën

Kreu i “Nismës Thurje”, Endri Shabani pohon se opozita duhet të jetë e para që duhet të mbështesë aksionet e SPAK, por përkundrazi po e sulmon.

I ftuar në emisionin “Studio Live”, ai shtoi se sulmet ndaj Strukturës së Posaçme vijnë pasi e dinë që nesër do të jetë radha e ish-ministrave të qeverisë së kaluar, duke përmenduar Sali Berishën dhe Ilir Metën.

“Po i vjen fundi kohës së pandëshkueshmerisë. Për 30 vite këta fusin në burg qytetarët të zakonshëm, por jo njëri-tjetrin. Ka pasur një marrëveshje që lufta politike midis aktorëve kryesor nuk do të shkojë kurrë tek prekja e tjetrit. Kjo lloj garancie u ka dhënë arrogancë dhe kjo arrogancë e ka bërë më të lehtë dhe i ka bërë më lehtësisht vulnerabël përball një drejtësie me të shkëputur e më të pavarur. Nuk ka asnjë surprizë. Opozita apo disa nga këto partitë e vjetra opozitare duhet të ishin të parët që duhet të mbështesnin SPAK, por ato po e sulmojnë. Megjithëse SPAK po arreston ministrat e qeverisë, por e sulmojnë SPAK pasi e dinë se sot janë ministrat e qeverisë, nesër do të jenë ish-ministrat e qeverisë së kaluar. Edhe në luftën ndaj SPAK janë bashkë. Radha do u vijë të gjithëve dhe unë besoj se nuk bën përjashtim as Berisha dhe as Meta. Kësaj klase politike po i vjen fundit”.

Latest articles

Related articles