Sali Berisha është i korruptuar, nuk është prorus

Nga Sebastian Zonja

Në bazë të dokumenteve të arkivit, kur rusët do të largoheshin nga Shqipëria, diktatori Enver Hoxha dërgonte përditë letra në Moskë duke u lutur që ata të qëndronin. Arsyeja ishte e thjeshtë: Shqipëria ishte e fuqishme për sa kohë kishte aleancë me një superfuqi. Përndryshe e humbte peshën e saj.
Në shumicën e letrave, udhëheqja komuniste argumentonte se nëse rusët tërhiqeshin, Shqipëria humbiste peshën e saj gjeostrategjike përball Greqisë dhe ish-Jugosllavisë.
Rusët u tërhoqën ndërsa diktatori, me gjasë, ka nënshkruar diku ndonjë marrëveshje me Perëndimin që të rrijë në pushtet sa të dojë, veçse mos t’u hapte telashe.
Pas kësaj marrëveshjeje, që disa thonë se është bërë në Ankara, Shqipëria u “finlandizua” dhe nuk kishte më peshë ballkanike. Ushtria jonë ishte një “tigër prej letre” sepse nuk trembte Greqinë në NATO, as Italinë në NATO, as ish-Jugosllavinë e përkëdhelur nga Lindja dhe Perëndimi. Propagandistët enveristë çoç na thonë edhe sot se ne luftonim edhe NATO-n edhe Traktatin e Varshavës, ndërkohë që ne humbëm komplet peshën tonë.

Mbetëm vetëm

Shqipëria, vetëm që Enveri dhe komunistët të rrinin në pushtet, filloi të rënkonte dhe derdhte gjak me grupet puçiste dhe vrasjet që mbinin përnatë në kokën e diktatorit dhe sejmenëve të vet.
Regjimi, për të mbijetuar dhe mos u hapur me Perëndimin, lidhi pakt me kinezët që ata të na përdornin si avantpost diplomatik, ndërsa ne përfituam investime në industri. Por, fatkeqësisht, humbëm të gjithë peshën gjeostrategjike.
Ky është veprimi më i zgjuar i Enverit për të na shkëputur si satelit rus, por, në të njëjtën kohë, është edhe më vrastari për kombin, duke na bërë të vrasim veten pak nga pak, pa bërë aleancë me NATO-n.

Rusët në Ballkan

Në Ballkan, për shekuj, fuqitë që kanë luajtur fijet kanë qenë britanikët, gjermanët, francezët dhe rusët. Këta të fundit, me të cilët kemi pasur aleancë për një dekadë, kanë ndryshuar disa aleatë gjatë shekullit të fundit. Në fillim kishin grekët. Pastaj bullgarët, deri në vitin 1905. Më pas serbët. Shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore, pasi serbët ishin nën ish-Jugosllavi. Dhe me rënien e murit të Berlinit, rusët u kthyen në aleancë me serbët.
Të vetmit që mundësuan futjen e rusëve me bazë ushtarake në Mesdhe ishim ne.
Aleancat e shqiptarëve me Fuqitë e Mëdha nuk kanë zgjatur më shumë se një dekadë. Me italianët në fillim të shekullit kemi aleancë që nga pakti 1 dhe 2 i Tiranës deri në pushtim (1926 – 1939); me rusët (1950 – 1960); aleanca me kinezët (1965 – 1975).

Pyetjet që duhet t’i bëjmë vetes janë:

– Cila është pesha jonë strategjike në rajon? Pse nuk jemi fuqi ekonomike apo ushtarake? Pse superfuqitë kanë interesa afatshkurtra ndaj nesh? Pse ka gjithnjë vorbulla tensionesh në vend? Sa rol luajnë në shkatërrimin e së ardhmes elitat e korruptuara politike, mospasja e elitave intelektuale dhe burokracisë shtetërore? Roli malinj i shovinizmave fqinjë? Si e kanë blerë influencën e tyre në postet më të larta politike linjat shoviniste fqinje dhe si e kanë shfrytëzuar atë?
Këto janë disa pyetje që meritojnë përgjigje nga historianët në bashkëpunim me politologët.
Sa më gjatë t’i fshehin kryet si struci, aq më shumë të korruptuar si Berisha do kemi në krye të shtetit dhe aq më shumë aventurierë si Rama do presin në radhë.

Antiamerikanizmi në Shqipëri

Aleanca jonë me superfuqinë amerikane ka njohur pikun e vet më të lartë në dy momente: çlirimi i Kosovës (1999) dhe futja e Shqipërisë në NATO (2008).
Së fundmi, Fatmir Mediu, ish-ministër Mbrojtjeje tha se Gërdecin mund ta kenë shkaktuar serbët. Faktikisht, serbët janë të painteresuar për të pasur fqinjë në NATO, por pyetja që i duhet bërë ish-ministrit është:
– Po grushtin e shtetit përpara futjes së Malit të Zi në NATO, serbët e bënë?
– Po dhunën në Parlament, në Maqedoni, për ta çuar vendin në zgrip të përplasjes etnike, përpara futjes në NATO, serbët e bënë?
Përgjigjen e merrni me mend.
Me futjen e Shqipërisë në NATO, merr fund finlandizimi i saj. Shqipëria fillon dhe shton peshën e saj strategjike duke u armatosur me teknologjinë e fundit.
Të painteresuar për një Shqipëri në NATO, nuk janë edhe aq shumë serbët, por rusët. Ata janë superfuqi me interesa ballkanike. Mbyllja e Adriatikut dhe Jonit në NATO, solli mbylljen e Mesdheut për rusët. Sot, me shumë mund, kanë kapur bazën në Siri dhe nuk e lëshojnë.
Propaganda kundër NATO-s në Ballkan është propagandë proruse. Antiamerikanizmi në Shqipëri ka vetëm një aspekt – pro apo kundër NATO-s në Ballkan.
Dhe ju e mbani mend se kush bënte propagandë kundër NATO-s ndërsa ne bëheshim gati për anëtarësim… E mbani mend kush thoshte “NATO si NATA”?
Në aspektin gjeostrategjik, të ashtuquajturit antiamerikanë në Shqipëri nuk kanë deklarata proruse, por janë të korruptuar deri në palcë.

Tensionet në Ballkan

Hallka më e dobët e NATO-s në Ballkan, të cilën e parashtroi përpara disa kohësh edhe ish-presidenti Donald Tramp gjatë një interviste, qënkesh Mali i Zi. Në aspektin strategjik, duke qenë se ka dalje në det, përbën rëndësi të madhe për rusët. Futja e tij në NATO është arritje e madhe për aleancën euroatlantike. Ndërkohë, shkelja e syrit që amerikanët kanë bërë ndaj serbëve për “copëtimin” e Bosnjës dhe Kosovës si dhe shtimin e influencës në Mal të Zi, tregoi se vitet e fundit Ballkani u përfshi nga një vorbull e madhe tensionesh.
Së fundmi, shpallja non-grata nga amerikanët e Aleksandër Vulinit, shefi i Shërbimit Sekret serb, për lidhje të drejtëpërdrejta ruse, do të thotë se skakiera ballkanike tashmë do të marrë formë tjetër.
Nëse deri më tani presioni ishte mbi shqiptarët për të dhënë sa më shumë për të kënaqur Serbinë dhe Vuçiçin, gjasat janë se kjo ka ndryshuar. Mendoj se një shkelje syri e pamenduar që Serbia i ka bërë Moskës në këto momente do të ndikojë jashtëzakonisht shumë.
Ja, pra, disa amerikanë nuk e njohin realitetin ballkanik, pasi janë të rinj në këtë rajon, jo si francezët apo britanikët që kanë shekuj. Ne jemi me ata amerikanë që e njohin rajonin dhe nuk sakrifikojnë aleatët për të përmbushur orekset serbe, që në fund të çojnë në Moskë.
Tik-taku sot troket për Vuçiçin dhe fijet e tij serbo-moskovite në Ballkan. Këtë e ka kuptuar edhe miku i tij i mirë Edi Rama, ndërsa tha publikisht, pak ditë më parë, se mund të shkohet deri në ngrirje marrëdhëniesh. Thua të jetë trembur Edi Rama se mikut të tij i erdhi fundi? Thua të jetë Albin Kurti “vrasësi” i legjendës ballkanike të Ramës?

Latest articles

Related articles