Kinezët kërkojnë një Nikson në krye të Shtëpisë së Bardhë

* Lindja ka arritur Perëndimin. Sot po i kërkon të mos ndryshojë rregullat e lojës.

Takimi Kisinger – Uang Ji

Veterani i diplomacisë amerikane, Henri Kisinger, është takuar të martën me disa prej zyrtarëve më të lartë kinezë – anëtarin e Byrosë Politike dhe kryediplomatin Uang Ji, si dhe ministrin e Mbrojtjes Li Shangfu.
Gjatë takimit, kryediplomati kinez parashtroi se politika amerikane ndaj Kinës ka nevojë për zgjuarsi diplomatike të stilit Kisinger dhe guxim politik të stilit të Niksonit.
Ministri kinez i Mbrojtjes ndërkohë tha se marrëdhëniet sino – amerikane janë në pikën e vet më të ulët. “E ardhmja e botës sonë do të jetë më e mirë vetëm kur vendet në zhvillim dhe vendet e zhvilluara të jetojnë në paqe dhe të zhvillohen së bashku”, tha zyrtari i lartë kinez.
Kisingeri nga ana tjetër ka një apel për Perëndimin dhe amerikanët në veçanti: “as Shtetet e Bashkuara dhe as Kina nuk mund të përballojnë ta trajtojnë tjetrin si kundërshtar”.

Marrëdhenia Nikson – Kisinger

Ish-presidenti amerikan Riçard Nikson, nën administratën e të cilit Kisingeri shërbeu si Sekretar Shteti, ishte personi që ndikoi shumë në hapjen e Kinës me botën si dhe rrëzimin e komunizmit.
Sipas ekonomistëve, në kohën që amerikanët u hapën me Kinën, kapitalizmi ishte në krizë ciklike të vetën dhe Kina shërbeu si gjaku për zemrën e kapitalizmit në Perëndim.
Politikisht, Bashkimi Sovjetik mbeti vetëm në arenën ndërkombëtare dhe rrëzimi i tij ishte çështje kohe.
Sipas shumë analistëve të marrëdhenieve ndërkombëtare, kjo qasje realiste e Kisingerit për të bërë këtë lëvizje në gjeopolitikë është parë si përputhja e teorisë me praktikën.
Pas shumë vitesh, në një intervistë të tijën, Kisingeri e përshkruan punën e tij për publikun e gjerë duke thënë se ajo ishte epokale, por meritat duhej t’i merrte presidenti, sepse nuk duhet të dukesh asnjëherë më i zgjuar se shefi jot.
Po ashtu, Niksoni kërkonte me çdo kusht mbylljen e Luftës në Vietnam. Për shkak të fuqisë së madhe të Pentagonit nga Lufta e Dytë Botërore, presidenti anashkaloi Departamentin e Shtetit dhe i dha leje Kisingerit për të zhvilluar negociata sekrete me vietnamezët e veriut.
Niksoni ishte shumë mendjemprehtë, politikan i kalibrit shumë të lartë, por mendjemadh dhe, sipas biografëve, donte që njeriu i tij të bënte negociatat në emër të Niksonit, në mënyrë që merita për përfundimin e luftës t’i shkonte atij, jo Departamentit të Shtetit apo të Mbrojtjes.

Përballja e sotme Perëndim – Lindje

Perëndimi sot është rajoni me pasurinë më të madhe në botë. Për shkak të industrializimit të tij, por pa lënë anash edhe kolonizimin ndaj Lindjes së afërt dhe të largët, qytetarët në Perëndim e marrin për të mirëqenë demokracinë dhe bollëkun.
Kinezët, afrikanët dhe Lindja e Mesme janë rajonet me zhvillimin më të shpejtë dhe kanë inate të mëdha me Perëndimin. Qasja perëndimore moraliste për të drejtat e njeriut, sipas tyre, është thjesht hipokrizi për të vijuar kolonializmin me mjete të tjera.
Nën optikën e studiuesit palestinezo-amerikan Eduard Said, Perëndimi e ka prodhuar Lindjen politikisht, ideologjikisht, kulturalisht dhe ushtarakisht.
Ajo që po thotë sot Lindja e afërt dhe e largët është se Perëndimi nuk është më “gjeniu” i botës, por veç më i pasuri.
Në ligjërime të ndryshme politike dhe kulturore amerikane dhe evropiane, duke nisur me studiuesin Samuel Hantington dhe ish-presidentin Donald Tramp, betejat politike mes Perëndimit dhe Lindjes, po tentojnë të shpërfaqen edhe si beteja të mëdha qytetërimore.
Ekstremet politike në Evropë, deri më tani, e kanë pasur vëmendjen kundër arabëve dhe emigrantëve afrikanë, por tashmë duket në sfond qasja kundër aziatikëve.
Faktikisht, që në krye të herës, mendjet e ftohta dhe larg propagandës, i thanë Hantingtonit se qytetërimet nuk përballen, ato bashkëpunojnë.

Roli dhe pasuria jonë si ballkanas

Që nga antikiteti, Herodoti, për shkak të zilisë për çfarë kishin persët, asirobabilonasit apo egjyptianët, ndërton ligjërimin se atje tej ka tirani, vrasje, skllavëri të frikshme. Kjo ishte e vetmja mënyrë që helenët t’i mbushnin mendjen të vetëve se Lindja ishte barbare, ata me kulturë. A nuk thonë të njëjtën gjë sot për kinezët, myslimanët, indianët apo ne ballkanasit?
Situata nuk ishte e këtillë. Afrika, Kina, India dhe Lindja e Mesme kishin asokohe disa prej qytetërimeve më interesante dhe më të pasur në botë. Helenët, asokohe, dhe më pas evropianët, ishin, po t’i vëmë një epitet, ngjashëm me Tantalin, të dënuar me etje të përjetshme. Ziliqarë për çfarë kishte arritur Lindja. Këtë e shpërfaq qartë Napoleoni kur shkon në Egjypt. Ato artefakte që s’i grabiti dot, i qëllonte me top, digjte apo shkatërronte. Ndaj thonë se Sfinksi nuk e ka hundën. Sepse e qëlluan me top kur nuk e morën dot me vete në Paris. Të njëjtën gjë kanë bërë britanikët apo holandezët dhe spanjollët në pushtimet e tyre në Amerikë, Afrikë apo Lindje.
Ne shqiptarët ndërkaq jemi shumë interesantë në këtë aspekt. Ballkani në përgjithësi është. Ashtu si toleranca fetare që e kemi trashëguar nga Perandoria Osmane, ngjashëm, për shkak të gjeografisë, ne jemi mes Lindjes dhe Perëndimit. Ballkani nuk ka të njëjtin historik me Evropën. Është afër dhe larg saj. Ndërkohë që atje digjeshin njerëz në turrën e druve, këtu nuk ndodhte diçka e atillë.
Ndërkohë që në Evropë vriteshin myslimanë dhe hebrenj gjatë rekonkuistës spanjolle, shumë prej tyre gjenin vend në Ballkan, duke e kthyer Selanikun në një prej qendrave të rëndësishme tregtare dhe kulturore.
Kulturalisht, pavarësisht mangësive që kemi, jemi shumë më lart se disa vende evropiane që fshehin të shkuarën e tyre. Sot duhet të mësojmë si të ndërtojmë përfytyrime të reja politike dhe kulturore për shekullin që kemi hyrë. E kemi shumë më të thjeshtë se racistët allaOrban nëpër Evropë dhe fondamentalistët e Lindjes së Mesme.
Lindja ka arritur Perëndimin. Sot po i kërkon të mos ndryshojë rregullat e lojës. Nëse nuk do të mësojmë si të bashkëjetojmë në një botë që problemet sa vijnë e bëhen më globale, fundin si njerëzim e kemi shumë të afërt.

Nga Sebastian Zonja

Latest articles

Related articles