PD-ja mes Hanit dhe Bashës, LITA: Fushata e kandidatëve si një terapi për kurimin e plagëve

Partia Demokratike pritet që këtë javë të votojë për kryetarin e ri të saj, dhe për gazetarin Lavdrim Lita fushata e dy kandidatëve që marrin pjesë në këtë garë, Lulzim Basha dhe Gjergj Hani, më shumë është një terapi për kurimin e PD-së se sa një hapësirë për të shpalur platforma për PD-në e nesërme.

Në një intervistë për “Ora News”, Lita theksoi se edhe grupimet e brendshme që e anatemonin Bashën janë zbutur dhe kanë kuptuar që PD-ja duhet të jetë një kopsht që duhet kuruar në mënyrë që ajo të jetë konkurruese në zgjedhjet e ardhshme të 2025-ës.

Unë po shikoj diçka interesante këto ditë te kjo fushatë me profil të ulët të Lulzim Bashës dhe Gjergj Hanit në bazë po e shikoj si një mjekim plagësh dhe shpirtrash.

Sepse njerëzit kanë qenë të mërzitur dhe të trazuar nga viti i fundit politik. Dhe po shikoj që në këto takime ka një formë tjetër të komunikimit politik, ku më shumë ka pyetje dhe sqarime se sa prezantime platformash se si do të jetë Partia Demokratike nesër.

Pra më shumë po shikoj se si po mjekohen plagët ku edhe grupimet e brendshme që e anatemonin Bashën kam parë që janë zbutur dhe kanë kuptuar që PD-ja duhet të jetë një kopsht që duhet kuruar, pasi nëse nuk ujitet dhe prashitet, atëherë ajo nuk mund të jetë konkurruese në zgjedhjet e ardhshme të 2025-ës.

Sigurisht që nuk ka një entuziazëm për rikthimin e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, por një pjesë e demokratëve e shikon me shpresë,  si garanci për t’u ndarë me të kaluarën e saj. Me ish ministrat e korruptuar, ish drejtorët e korrupsionit, etj. 

Pra, ai kërkon së pari vetingun e tij politik, dhe imagjinoni se çfarë mund të bëjë më pas për të gjithë drejtuesit e partisë Demokratike. Vetingu në politikë është pjesë e platformës së tij të 2025-ës, bashkë me votimin e diasporës,  kufizimin e mandateve të KM, listat e hapura, presidenti nga populli”, theksoi Lita.

Latest articles

Related articles