KFOR reagon për dronët ‘Bayraktar’: Kemi autoritet për hapësirën ajrore, qeveria të koordinohet me ne

Një ditë pasi kryeministri Kurti prezantoi blerjen e dronëve `Bayraktar`, ka reaguar edhe KFOR-i. Në një deklaratë për mediat, KFOR ka bërë të ditur se dronët `Bayraktar TB2`, të prezantuar nga Kosova mund të përdoren vetëm në koordinim me të.

KFOR-i ka shpjeguar se përdorimi i të gjitha kategorive të dronëve, duke përfshirë “Bayraktar TB-2”, bëhet në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe se Komandanti i KFOR-it ka autoritetin parësor për hapësirën ajrore mbi Kosovë.

Gjithashtu, KFOR-i ka vënë në dukje se mbetet në pritje nga institucionet e Kosovës që të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese.

Sipas deklaratës, KFOR-i vazhdon të mbështesë zhvillimin e FSK-së në shuarje të zjarreve, asgjësim të mjeteve shpërthyese, kërkimi dhe shpëtimi dhe reagimi ndaj derdhjeve të materialeve të rrezikshme.

“Hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovën nga një vend në tjetrin me fluturime komerciale; hapësira e poshtme ajrore mund të përdoret për nevoja specifike, rast pas rasti dhe sipas autorizimit të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it.

Presim që institucionet në Kosovë të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Latest articles

Related articles