In Memoriam – poetët lirisë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

Më 17 korrik 1977, në Librazhd, u pushkatuan dy djem te rinj, poetët, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Për të vetmin faj sepse ishin poetë.

Pjesë nga përgatitjet përfundimtare përpara “gjyqit në emër të popullit” që dënuan me vdekje me pushkatim dy poetët martirë.

* * * *
“Krerët e këtij grupi them se janë Genci Leka dhe Vilson Blloshmi, pjellë e armikut të klasës, të cilët e kanë kurdisur të gjithë grupin. Këta jo vetëm i kanë mbajtur këta libra, por i kanë lexuar dhe janë frymëzuar prej tyre. Kanë pasur dhe shkrime të tyre për përmbysjen e pushtetit popullor dhe jo vepra e poezi. Vilsoni është më i zgjuar nga të tjerët dhe aktin nuk e pranon se e di që e pret pushkatimi. Ky grup të konsiderohet si grup sabotatorësh. Në krye të grupit Genci e Vilsoni, sepse këta kanë nxitur të tjerët, i kanë frymëzuar. Argumente për këtë ka dhe përmbajtja e problemit është e qartë se ky është nxitës, si dhe i sjell dëm diktaturës së proletariatit. Për shkallën e dënimit ju gjykojeni vetë dhe mos u nisni se aprovohet apo jo lart, por nga krimi që ka kryer secili. Jam dakord që gjyqi të bëhet këtu, të përgatitet mirë, të ngrihet me forcë lufta e klasave, të jetë një pretencë e fortë politike ideologjike dhe e përgatitur mirë. Gjykatat të ruajnë plotësisht ngjyrën e fajit e qëllimit që kishin për minimin e pushtetit popullor. Megjithëse do e zhvillojmë këtu, masat e sigurimit nuk duhen nënvleftësuar. Problemi i implikimit të mos dalë në kaq apo aq veta. Edhe ata që do demaskohen, duhet kujdes, të ngrihen, të bëjnë autokritikë dhe të pranojnë gabimin. Në gjyq të vijnë njerëz që i shërbejnë gjyqit dhe jo kush të mundë”.

Latest articles

Related articles