Vatikani dënon dhunimin dhe shkatërrimin e simboleve e të vendeve fetare

R.SH. – Vatikan

Dënim i shprehur “me vendosmërinë më të madhe” nga Selia e Shenjtë kundër “përdhosjes, shkatërrimit, ose mungesës së respektit për objektet fetare, simbolet dhe vendet e kultit”. Në sesionin e 53-të të zakonshëm të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, i ngarkuari me punë i Misionit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë, imzot David Putzer, ndërhyu në debatin e kërkuar nga Pakistani, lidhur me rritjen alarmuese të akteve të paramenduara dhe publike të urrejtjes kundër fesë, siç dëshmohet nga dhunimi periodik i Kuranit në disa vende evropiane dhe më gjerë.

Ngjarja në Suedi
Kujtojmë se në fund të qershorit, në Suedi, një manifestues me origjinë irakiane i vuri zjarrin librit të shenjtë për Islamin përpara xhamisë Medborgarplatsen në Stokholm, në fillim të kremtimeve për Kurban Bajramin. Gjesti shkaktoi polemika dhe protesta të mëdha në mbarë botën. Papa Françesku u shpreh për këtë çështje në një intervistë me gazetën e Emirateve të Bashkuara Arabe, Al-Ittihad, ku deklaroi: “Ndihem i indinjuar dhe i neveritur nga këto veprime”. “Çdo libër, që konsiderohet i shenjtë nga njerëzit që e besojnë – nënvizonte Papa – duhet të respektohet, për hir të respektit që kanë besimtarët e tij dhe liria e shprehjes nuk duhet të përdoret kurrë si justifikim për të përçmuar të tjerët”.

Sulm kundër dinjitetit të besimtarëve
Duke kujtuar fjalët e Papës, delegati i Vatikanit në OKB-në e Gjenevës, shprehu sërish dënimin dhe shqetësimin e Selisë së Shenjtë: “Djegia e Kuranit në ditën e parë të festës myslimane të Kurban Bajramit na shqetëson posaçëm, sepse u denigrua edhe rëndësia e asaj dite të shenjtë”, theksoi ai. “Besimi fetar – shtoi imzot Putzer – është shprehje e kërkimit të njeriut për të vërtetën, kuptimin dhe qëllimin e jetës. Si i tillë, fyerja e qëllimshme e besimeve fetare, traditave apo objekteve të shenjta përbën sulm kundër dinjitetit njerëzor të besimtarit”.

Abuzimi me dhuratën e lirisë së shprehjes
Nga ana tjetër, sipas të ngarkuarit me punë të Vatikanit, nevojitet një ndërgjegjësim më i madh për faktin se “abuzohet me dhuratën e çmuar të lirisë së shprehjes”, duke provokuar besimtarët, që reagojnë në tepri. Kështu, ushqehet “urrejtja, intoleranca dhe dhuna” në një botë me luftëra dhe konflikte, ku – siç vazhdon të përsërisë Papa – nevojitet vëllazërimi, balsam mbi plagët aktuale.

Miratohet Rezoluta
Në fund të debatit, anëtarët e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut miratuan një rezolutë, e cila “dënon dhe hedh poshtë me vendosmëri çdo mbrojtje e manifestim të urrejtjes fetare, përfshirë aktet e fundit publike dhe të paramenduara të përdhosjes së Kuranit”. Teksti u miratua me 28 vota pro (përfshirë Pakistanin, Kinën dhe Senegalin), 12 kundër (përfshirë disa vende anëtare të Këshillit të BE-së, SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar) dhe shtatë abstenime.

Latest articles

Related articles