Përse rikthimi i SHBA-ve do të prodhojë ndryshim epokal?

Nga Red Varaku

Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE ka qenë dhe mbetet kryprioritet strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rajonin, aq më tepër tani në kushtet ku Rusia po tenton një rol të ri në politikën globale përmes aneksimit të Ukrainës.

Ndërkohë, i vetmi faktor që po pengon integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor është korrupsioni i lartë në këto vende , korrupsion që aktualisht po përdoret nga Rusia për të mbajtur këtë rajon peng dhe jashtë BE.

Jo pa qëllim Urdhëri Egzekutiv i Presidentit Amerikan Biden e konsideron korrupsionin në këtë rajon si rrezik për Sigurinë Kombëtare të SHBA-ve dhe në Shqipëri ka percaktuar si instrumentin kryesor për goditjen e tij Reformën në Drejtësi.

Reformë që jo rastësisht filloi të konceptohej në 2014, që është dhe viti që Rusia aneksoi me dhunë Krimenë , duke u kthyer kështu praktikisht nga partner në “armik” të SHBA-ve.

Vetëm naivët nuk e kuptojnë që kryobjektivi i Reformës në Drejtësi është goditja e agjentëve pro-rusë në terren dhe eliminimi politik i tyre.

Kështu është e qartë që lufta kundër korrupsionit është në fakt luftë kundër Rusisë dhe metastazave të saj përmes të cilave Rusia po tenton të mbajë rajonin jashtë sferës Perëndimore, rrjedhimisht jashtë BE.

Nuk ka më dyshim se goditja e korrupsionit dhe eliminimi i aktorëve të korruptuar, përveç se është kusht i domosdoshëm për integrimin e Shqipërisë, është më së pari pjesë e strategjisë së luftës kundër Rusisë.

Pra, është interes gjeostrategjik i Sigurisë për SHBA çka do të thotë se kjo luftë do të prodhojë shumë “viktima” jo vetëm në kuptimin politik të fjalës, por edhe penal.

Kuptohet që në kushtet e reja të luftës së Perëndimit kundër Rusisë, të korruptuarit janë njëkohësisht dhe armiqtë dhe tradhtarët më të mëdhenj të këtij kombi, sepse po tentojnë rikthimin e Shqipërisë nën influencën sllavo-ruse.

Ndaj, të gjitha kokat e sovjetiko-nostalgjikëve, agjentëve të fjetur të Rusisë, të veshur gjatë kësaj periudhe me kostum perëndimor,
do shkojnë në gijotinën Amerikane të Reformës në Drejtësi, çka do ta ndryshojë rrënjësisht skenën politike shqiptare në muajt në vijim.

Latest articles

Related articles