In Memoriam – 5 vite pa Fadil Hasën, mjeshtrin popullor të humorit shqiptar

Si sot 5 vite më parë u nda nga jeta gjigandi i skenës së humorit dhe i realizimit të një prej filmave më të bukur shqiptar Mao Ce Dun, Fadil Hasa. Ai lindi në Krujë, me 8 prill 1940 dhe kreu gjimnazin “29 Nëntori” në Shkodër, ku u aktivizua në aktrim.

Hasa u bë i njohur si aktor, me të dhëna të shprehura ndaj teatrit të varietese qysh me grupin e Estradës Amatore të Portit të Durrësit (1963-1970).

Falë aftësive të tij, në vitin 1970 u thirr si aktor profesionist në Estradën e Durrësit, ku punoi deri sa doli në pension, në 1993. Gjatë karrierës së tij, aktori i njohur ka luajtur mjaft role në komedi me një akt, skeçe, parodi e pantomime, dialoge dhe forma të tjera të shkurtra të estradës.

Ndër to, u bënë të njohura për publikun e gjerë interpretimet e disa roleve, si: Latifi te Sheqer-sheqer, Rrema tek “Or ti i këshillit”,” Hamdiu” te Mysafiri i paftuar,” Qyli” (monolog) etj.F. Hasa ka shënuar emrin e tij edhe në kinematografi.

Ai ka luajtur në disa filma të suksesshëm si: Zëvendesi i grave, Mao Ce Dun (Hekurani, 2004), Trapi i vjetër (oficeri, 2005), Lutje dashurie (besimtar mysliman, 2005).

E veçanta e tij në aktim, ishte loja me “seriozitetin” që vishte personazhet, duke nxjerrë në pah që andej budallallekun, naivitetin, dobësi e mangësi te caktuara karakteri.

“Artisti i Merituar”, vitet e fundit të jetës i kaloi në qytetin e Durrësit, ku edhe pse në pension, u aktivizua me disa shfaqje.

HASA DHE DURRËSI
Ishte pikërisht ky qytet bregdetar që jo vetëm do e mirëpriste krutanin gazmor, por edhe
do e bënte të famshëm duke i hapur një port krejt të ri, veç atij
detarit; atë të humorit.Ishte vetëm 21-vjeç asokohe, ka rrëfyer Hasa,
kur i sapokthyer nga Shën Pjetërburgu ku studioi për Marinë Luftarake do
i qasej me kureshtje trupës amatore të Portit.

Tre vitet e shkollës ruse kishin qenë mundësi e mirë për t’i ikur
“shërbimit të detyruar ushtarak në Librazhd”, do të përdorte humorin
ndërsa rrëfente jetën e tij aktori, por kthimi duke mos e përfunduar
formimin pesë vjeçar për shkak të prishjes së marrëdhënieeve me
Shqipërisë e Rusisë dhe puna në portin e Durrësit nuk qe ajo që kishte
dashur i riu. “Deti është i bukur kur shihet nga bregu, por kur i hyn
brenda është llahtar” do i thoshte gazetares ai.

Për shkak të frikës nga deti u detyrua të punonte në port dhe fati e
desh që një aktor i Estradës së Durrësit, Ramazan Jala, të bëhej shkak
që Fadil Hasa të ngjitej në skenë. “Qysh në premierën e parë isha i
papërballueshëm. U pëlqeva shumë.” –do të kujtonte ai, ndërsa do të
sillte ndërmend rolin e parë, atë të një përkthyesi që në të vërtetë nuk
di asnjë gjuhë të huaj. “Përkthimi ishte fenomenal. E gjithë salla u
ngrit në këmbë”.

Hasa në një prej roleve komikë interpretuar në Estradën e Durrësit.

Në premierën e tretë me Estradën e Portit –e përbërë nga amatorë e jo
nga profesionistë si ajo e qytetit –do të bëhej një takim kombëtar i të
gjithë humorit shqiptar. “Mora çmimin Aktori më i mirë i Festivalit”-do
të thoshte Hasa, ndërsa për të dytën herë këtë çmim e mori në vitin
1997, kësaj here në një festival me estradat profesioniste. Estrada e
Durrësit, edhe pse me vetëm katër aktorë do të merrte flamurin e
festivalit.

Megjithëse në karrierën e tij që nisi krejt rastësisht në vitet ’60
–humor që siç do të thoshte ai nuk e kishte trashëguar nga familja, por
mbase e kish marrë gjatë viteve të shkollës së mesme në qytetin e
Shkodrës, e njohur për lëvrimin e këtij zhanri jo vetëm mes
profesionistësh, por edhe njerëzish të thjeshtë që e kanë qesëndinë në
gjak – ka interpretuar shumë role, Hasa vetë do të veçonte më të
njohurit, ata që kanë mbetur në kujtesën dhe zemrat e njerëzve, në
materiale si “Dajrja”, “Sheqeri” apo Tekniku i lavatriçes”. Megjithëse
e nisi në moshën 21 –vjeçare, Fadil Hasa ka rrëfyer se rolin e parë e
pat marrë nga mësuesi i letërsisë, kur ishte në klasë të katërt në
shkollën 7-vjeçare në Krujë, i cili e përzgjodhi për të luajtur në një
dramë në shkollë.

Në Durrës, trupa me të cilën lunte Hasa do të mblidheshin në orën 11:00
të paraditeve për të mbajtur shfaqje, në mënyrë që të rivalizonin
“Canzonissima”-n italiane, aq shumë të dashur e të ndaluar për
shqiptarët. “Salla ishte e vogël , me 320 vende, te Shatërvani poshtë,
mblidheshin pesë mijë vetë që dëgjonin nga fonitë. U bë problem, sepse
po linim pa punë Estradën profesioniste”.

Hasa do të fliste edhe për censurën , të cilën duhet ta brendësonin
gjatë viteve të regjimit komunist. “Hierarkia ishte përgjegjës,
nëndrejtor, drejtor. Deri këtu mund të talleshe e të ironizoje. Por nëse
të shkonte mendja për të bërë humor me ndonjë zv/ministër, të pinte e
zeza. As mund ta çoje nëpër mend pastaj ç’mund të ndodhte nëse ishte
ministër. Deri te drejtorë fabrikash i kemi bërë telef! Por kishte
kontroll. E shfrytëzonin humorin për politikë, por ishin të vëmendshëm
se mos u shpëtonte ndonjë gjë”.

Përtej roleve në skenë, roli më i bukur ka qenë ai i babait të dy
vajzave. Pasi bashkëshortja e tij u nda nga jeta në moshë të re, vetëm
44 –vjeçare , atij iu desh të kujdesej më shumë për të bijat. “Jam
fatlum që jam babai i dy vajzave” ka thënë ai, ndërsa të bijat sot
kishin vendimin e vështirë për t’u kërkuar kolegëve të babait, të
përkujdeseshin për homazhet që do të mbahen nesër në Durrës.

Kolegët, me të cilët u ngjit me qindra herë në skenë e që ai do i
vlerësonte si të jashtëzakonshëm, me dhimbje i kanë dhënë lamtumirën
kolegut të tyre, të cilin e kanë quajtur “baba në skenë”.

Latest articles

Related articles