Ditari i luftës: Putin urdhëron “koka turku” pas rebelimit të Prigozhin, arrestohen gjeneralë madhorë

Gjeneralmajori rus Vladimir Seliverstov është i fundit në serinë e komandantëve të zëvendësuar në ushtrinë ruse. Siç kanë konfirmuar disa kanale Z në Rusi, Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu ka shkarkuar komandantin e divizionit të 106-të të Forcave Ajrore (VDV), gjeneralmajor Vladimir Seliverstov, i cili komandonte divizionin që kishte luftuar në Bakhmut që nga janari i këtij viti.

Arsyet e largimit të gjeneralit nga komanda nuk dihen ende, por sipas kanaleve pro-ushtarake mospërputhja e Selieverstov dhe mosgatishmëria e tij për të heshtur në mbrojtjen e çështjeve të personelit konsiderohen si arsye të mundshme. Në të njëjtën kohë, vihet re se Seliverstov nuk ishte gjithmonë dakord me vendimet e selisë së Forcave Ajrore.

Zyra e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Divizionin e 106-të Ajror për përfshirje në vrasjet e civilëve në periferi të Kievit: Bucha, Gostomel dhe Irpin, dhe vartësit e Seliverstov dyshohen se janë përfshirë në ekzekutimin e fotoreporterit ukrainas Max Levin në Mars, viti 2022.

Pas rebelimit të Yevgeny Prigozhin, 15 oficerë të lartë rusë janë hequr nga shërbimi ose janë pensionuar. 13 persona të tjerë u arrestuan për t’u marrë në pyetje, disa prej tyre u liruan më vonë, thanë burimet për Wall Street Journal. Mes të arrestuarve ishte edhe zëvendëskomandanti i grupit në Ukrainë, Sergey Surovikin. Disa orë pas fillimit të marshimit për në Moskë të luftëtarëve të “Wagner”, gjenerali u arrestua nga FSB. Përveç Surovikin, u ndaluan edhe disa oficerë të tjerë të lartë.

Gjeneral-lejtnant Andrey Yudin, zëvendësi i Surovikin, dhe gjenerallejtënant Vladimir Alekseev, zëvendës shefi i parë i Drejtorisë kryesore të Inteligjencës (GRU) të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, u arrestuan gjithashtu, por më vonë u liruan. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe gjeneral-lejtnant Mihail Mizintsev, i cili ka qenë zëvendëskomandant i kompanisë private ushtarake “Wagner” që nga maji 2023.

Latest articles

Related articles