Qeveria e Burgut dhe Partia e Bandave

Nga Namir Lapardhaja

Meqenëse Shqipëria është vend i çudirave dhe, ashtu siç kemi dëgjuar, nga pas hekurave të burgut, bota e krimit porosit vrasje, vendos gjoba, drejton tregun e kokainës dhe të heroinës, siç po duket dhe, siç gjasat janë të ndodhë, nuk do të jetë e largët dita kur do të krijohet Qeveria e Burgut.
Kjo qeveri, me gjasë, do jetë me bazë të gjerë. Ajo që nuk u realizua jashtë burgut, do realizohet pas hekurave. Deri më sot, është një qeveri hije. Vetëm me ministra të suksesshëm socialistë dhe, ndonjë, nga ish-LSI-ja e dikurshme. Por nuk do jetë e largët dita, ku do t’i bashkëngjiten edhe ngjyrat e tjerë, për ta plotësuar pazllin koloritë. Me këtë rast, koalicioni i integrimit evropian mund të drejtojë vendin nga burgu. Madje, mund të përshpejtojë edhe integrimin e plotë në BE.
Pas Qeverisë së Burgut, siç edhe po duket dhe, siç gjasat janë të ndodhë, do të krijohet Grupi Parlamentar i Ngapashekurave. Ky Grup, me gjasë, do drejtohet nga shumica socialiste, ndaj, me votim të hapur, ata e meritojnë kryesimin e grupit.
Pas Qeverisë së Burgut dhe Grupit Parlamentar të lartëshënuar, shumë shpejt pritet të krijohet edhe Shoqata e Bashkive të Burgut, ku pjesëtarë të saj do të jenë kryetarët e bashkive socialiste që janë aktualisht në burg, por edhe të tjerë që janë rrugës anëtarësimit me të drejta të plota tek kjo shoqatë. Nuk besoj se do ketë ndonjë qejfmbetje që kryesinë e këtij institucioni të rëndësishëm lokal brenda mureve të burgut ta marrë Safet Gjici. Të paktën, për sa kohë që Erjon Veliaj është jashtë.
Me krijimin e kësaj shoqata, Shqipëria plotëson edhe kriterin e fundit dhe BE-ja është vetëm një telefonatë larg.
Pas këtij procesi të rëndësishëm, jashtë mureve të burgut pritet të institucionalizohet shoqata “Po SPAK-U ÇFARË PO BËN?!”. Kryetari i kësaj shoqate, do jetë brenda mureve në kohën e krijimit, ndërsa anëtarët jashtë. Ndaj, meqenëse ka ende kohë, le të flasim për këtë shoqatë në kohën e duhur.

Latest articles

Related articles