Dekonspirimi i SPAK, kalimi me këmbë në Greqi, bileta për në Itali dhe celulari në Kanada

Ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, për të cilin Prokuria e Posaçme ka kërkuar nga parlamenti autorizimn për arrestimin e tij, rezulton të jetë larguar nga Shqipëria. Në mbledhjen e Këshillit të Mandatave të nisur sot pasdite në kryesinë e parlamentit, për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë, njëri prej avokatëve të tij, Henrik Ligori, mësohet të ketë pohuar se zoti Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri.

Zëri i Amerikës, ka konfirmuar përmes burimeve zyrtare se ai është larguar nga kufiri tokësor i vendit, drejt Greqisë, të premten paradite, pikërisht pak orë përpara se sa Prokuroria t’i dërgonte parlamentit, shkresën për arrestimin.

Burime pranë autoriteteve shqiptare i thanë po ashtu Zërit të Amerikës, se më pas zoti Ahmetaj, ka prerë online një biletë avioni për në Itali, por që nuk e ka përdorur. Burime të tjera, të pakonfirmuara zyrtarisht, tregojnë se nga verifikimet e sinjalit të celularit të tij, momenti i fundit i vendndodhjes rezulton të ketë qenë Kanadaja, raporton Zëri i Amerikës.

Të njejtën hipotezë e ka shfaqur dhe kryetari i grupit parlamentar demokrat Gamend Bardhi në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, kur ka pyetur për këtë, drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, por pa marrë një përgjigje prej tij.

Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë të gjitha gjasat janë që largimi i tij të jetë përfundimtar, për t’i shpëtuar përballjes me drejtësinë.

Latest articles

Related articles