“Ahmetaj më thirri në zyrë dhe më bëri presion të firmosja për inceneratorët” – zyrtarja e Ministrisë.

Dosja e Arben Ahmetajt është voluminoze. SPAK ka mbledhur prova dhe fakte që “gozhdojnë” ish-zv/kryeministrin në rolin e tij për aferën e inceneratorëve. Prokuroria ka dalë në konkluzionin se deputeti socialist ka përfituar mbi 500 mijë Euro nga bosët e inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Por si u arrit deri aty? SPAK thotë se Ahmetaj ishte në dijeni të shkeljes së ligjit, madje u ka bërë presion vartësve. Një rast i dokumentuar është ushtrimi i presionit mbi një punonjëse të administratës për të miratuar pozitivisht kontratën koncesionare të një landfilli në Durrës.

“Sidita Kopliku (Temali), anëtare në komisionin për zhvillimin e procedurës koncensionare të Tiranës, si përfaqësuese e Agjencisë së Trajtimit të Koncensioneve, ka deklaruar përballë prokurorëve se ka pasur presione nga titullarja e institucionit, Rovena Beqiraj, ku prej saj nxitej që procedura koncensionare për Tiranën të finalizohej me sukses.

Kopliku sqaron se, kur ka qenë pjesë e procedurës koncensionare në lidhje me Durrësin ku do të ndërtohej një landfill, si anëtare komisioni, një këshilltar i ministrit Arben Ahmetaj, e ka njoftuar që e kërkonte ministri Arben Ahmetaj në zyrë.

Ajo ka shkuar tek zyra e ministrit Arben Ahmetaj, në paradhomë, ku sekretarja i ka kërkuar të linte telefonin aty, dhe më pas është futur në zyrën ku ndodhej ministri Arben Ahmetaj, e shoqëruar nga këshilltari. Kopliku ka deklaruar në Prokurorinë e Posaçme se Ahmetaj i ka kërkuar që, në lidhje me procedurën e Durrësit, Sidita ta shikonte dhe ta vlerësonte me pozitivitet, në drejtim të përfundimit me sukses të saj.

Sidita këtë takim e ka vlerësuar si formë presioni pasi titullar të drejtpërdrejtë ajo kishte kryetarin e ATRAKO-s. Pas kësaj situate, edhe në rastin e procedurës koncensionare të Tiranës, Sidita është ndjerë në presion për shkak të asaj që kishte ndodhur për Durrësin dhe pasur parasysh edhe nxitjen e kryetares Rovena Beqiraj që kjo procedurë koncensionare e Tiranës të realizohej me sukses”, thuhet në dosjen e SPAK.

Latest articles

Related articles