Atentati në Larushk, avokati i Valter Bamit: Ndezi fishekzjarrë për ditëlindjen e motrës, ndaj ka gjurmë baruti në duar

Valter Bami i arrestuar me akuzën për armëmbajtje pa leje, pritet të njihet nesër me masën e sigurisë, pasi Prokuroria ka dyshime se është i përfshirë në masakrën në Larushk të Krujës, ku u vra Ramazan Sino, 28-vjeç, kunati i Gentjan Bejtjas dhe u plagosën dy fëmijët e tij të mitur.

Bami ka mohuar akuzën dhe thotë se gjurmët e barutit në duar i ka nga qitjet me një armë sportive me leje. Gjithashtu, avokati tha se mbrëmjen e ngjarjes klienti i tij ndodhej në banesë.

Sipas avokatit të tij, Valter Bami, disa orë para atentatit ndaj Gentian Bejtjes në fshatin Larushk ka lëshuar një fishekzjarr për ditëlindjen e të motrës, megjithatë nuk e përjashton mundësinë që mikro-grimcat e gjetura te kyçi i dorës të jenë të armës së tij sportive, pasi sipas Bamit shpesh e pastron armën.

Avokati i tij, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, pritet të kërkoj një ekspertizë më të thelluar, për të përcaktuar saktë çfarë plumbash i përkasin grimcat e gjetura.

Valter Bami ishte ndër të parët persona që u shoqërua dhe mor në pyetje nga policia pas vrasjes së Sinos e plagosjes së dy fëmijëve të Bejtjes.

Ndonëse u la i lirë, dy ditë më vonë ai u prangos për “armëmbajtje pa leje”, pasi policia gjeti mbetje baruti në duart e tij.

Latest articles

Related articles