ANALIZA | Lul Basha i pashmangshëm

Dr. Klementin Mile

Situata e Lulzim Bashës sot është e ngjashme me atë të Xhorxh Bushit në vitin 1989. Bushi kishte qenë për 8 vjet Zëvendës President në administratën e Reganit. Kjo e kishte bërë një njeri të famshëm në të gjithë Amerikën. Por, duke qenë Zëvendës President dhe duke ndjekur idetë e Reganit për qeverisjen, në vitin 1989 Bushi ishte i famshëm, por i panjohur. Askush nuk e dinte vizionin e tij, vlerat e tij, politikat e tij. Bushi e shfrytëzoi këtë fakt për t’u bërë i njohur për amerikanët dhe për t’u zgjedhur President.

Lulzim Basha sot është padyshim i famshëm. Aq i famshëm sa disa e thërrasin “Lul”, të tjerë e kanë quajtur “Luli Basha”, e të tjerë akoma “Lul-Brava”, “Lul-Pengu” e me radhë. Të gjithë e dinë kush është Lulzim Basha. E dinë që ka qenë kryetar partie, ministër, që ka shkruar një libër, që gatuan për familjen e vet, që ka studiuar në Holandë, që kandidon për të rimarrë postin e kryetarit të PD-së. Por ai mbetet po aq i panjohur sa edhe në 2005 kur u shfaq për herë të parë në politikën shqiptare.

Sfida e Lulzim Bashës sot është më e madhe se ajo e Bushit. Xhorxh Bushi qe Zëvendës President i Reganit, një President që e mbështeti dhe pati ndikim pozitiv në Partinë Republikane. Lulzim Basha ka qenë që prej 2013 kryetar në detyrë i Sali Berishës, liderit historik që sot e lufton me terma që dëshmojnë imagjinatën e jashtëzakonshme të Berishës, me terma që e bëjnë edhe më të famshëm Lulzim Bashën (“Lul-Besprerin”), por e lënë po aq të panjohur sa më parë.

Lulzim Basha, ky njeri i famshëm por i panjohur i së djathtës shqiptare, është i pashmangshëm në politikën tonë. Në kohën më të vështirë të Partisë Demokratike, në kohën kur shigjetat e Perëndimit ranë mbi liderin historik Berisha, vetëm Basha dhe Alibeaj (“Alibasha”) patën guximin dhe gjykimin politik për të marrë vendime të vështira në interes të PD-së. Të tjerët heshtën. Të tjerët pritën nga do frynte era. Të tjerët nuk shfaqën asnjë shenjë lidershipi, por shumë shenja llogarish meskine dhe bizantine.

Prandaj Lulzim Basha është i pashmangshëm në Partinë Demokratike. Ka ardhur koha që Basha t’u flasë demokratëve dhe shqiptarëve për idetë e tij, për vizionin e tij për këtë vend. Deri tani ka shpallur disa pika programore në kuadrin e një reforme kushtetuese, të tipit “Republika e Re”. Kjo mjafton për ta nisur udhëtimin, por për ta vazhduar nevojiten teza shumë më tepër politike, e të thëna me një gjuhë që ta kuptojnë shumë njerëz. Sepse, që ky udhëtim të jetë i suksesshëm, duhet që në fund të tij, të gjithë ne ta njohim Lulzim Bashën.

Latest articles

Related articles