“Kufizim i Mandateve në demokracinë e sëmurë Shqiptare ” – ANALIZA

Nga Ardit Gjinali

“Kufizimi i mandateve” është një nismë që nuk pengon zhvillimin e karrierave individuale të individëve politikë, i njëjti shmang qëndrimin e tyre në një detyrë politike hierarkike në një periudhë kohore jo të përcaktuar dhe në të njëjtën kohë kufizon secilën pritshmëri individuale njerëzore të pazakontë , të tilla pritshmëri që e kanë origjinën nga mendimi “ i qëndrimit të pakufizuar në zyrë”.

“Kufizimi i mandateve” mbetet një emergjencë politike në shoqëritë me “ demokraci në zhvillim” apo të njëjtat me “demokraci të munguar” , të tilla të klasifikuara si shkak i pavarësisë së munguar të pushteteve, lirisë së cënuar të medias, stabilitetit të munguar politik, qarkullimit të munguar të elitave politike, rotacioneve politike të munguara, mundësi jo të barabarta mes garuesve në proçese zgjedhore, interesat ekonomike të ngërthyera me ushtrimin e pushtetit politik dhe konsolidimi në kufijtë e absolutizmit të pushteteve individuale të të zgjedhurve.

Një “qëndrim i pakufizuar në zyrë” , pra një mandat politik qeverisës drejtues i pakufizuar, do të inkurajonte veprimin pro-aktiv të pushtet-ushtruesit për të ndërtuar rrethanat përtej politikës për të paracaktuar “qëndrimin e mëtejshëm në zyrë”, përkatësisht rrethana inkurajuese që burojnë nga përdorimi i elementëve proçedurialë favorizues si mungesa e barazisë në tendera publikë, emërime nepotike në administratë, orientim i shpërndarjes së fondeve publike në zona apo territore preferenciale, aleanca fluide politiko-ekonomike ndaj faktorëve të tretë , të tillë zonalë apo kombëtarë.

Secili prej këtyre akteve të përmendur më lartë ndërmerret në funksion të një “qëndrimi të gjatë në zyrë” përtej logjikës normale politike që parashikon rotacione dhe ndryshime politike si shkak i mos-realizimit tërësor të programit qeverisës, rrethanave fatkeqe politike apo administrative në rrafshin individual apo të forcës politike që individi politik përfaqëson.

“Mandatet e pakufizuara” janë një ndër elementët ndikues në klasifikimin e shoqërive të ndryshme si të tilla me “ demokraci të munguar” apo “demokraci në zhvillim” , të tilla “mandate të pakufizuara” inkurajojnë tendencat e korrupsionit politik dhe institucional ku zyrtarët e lartë paramendojnë dhe kombinojnë secilën rrethanë për të përgatitur politikisht një qëndrim të pakufizuar në zyrë, duke mos pasur në konsideratë një mbarim në periudhë afat-shkurtër 4 vite apo afat-mesëm 8 vite të mandatit të tyre qeverisës në nivel lokal, rajonal apo qendror.

Qeverisja, përkatësisht në shoqëritë me “demokraci në zhvillim” apo “demokraci të munguar” , në periudha kohore më të gjata se e njëjta “afat-mesme” , përkatësisht 8 vite në nivel lokal apo qëndror nën lidershipin e të njëjtit individ politik, inkurajon ekspozimin ndaj korrupsionit ekonomik, politik, zgjedhor dhe tendencat e shfaqura që burojnë nga pushteti i pakufizuar individual politik konsolidohen në sjellje dhe veprim autokratik.

Nisma e “Kufizimit të Mandateve” mund të shkaktojë një debat të gjerë përkatësisht në kontekstin e kufizimit përmes ligjit të karrierës politike të një politikani apo kushtëzim i vullnetit politik qytetar ndaj individit politik përkatës.
Në shumicën prej shoqërive, të tilla “demokratikisht të shëndetshme “ mbetet të theksohet që kufizimi i mandateve është një frenim i shprehjes së vullnetit qytetar mbi figura të caktuara politike apo në të njëjtën kohë si një frenim i vazhdimësisë së karrierave individuale politike në përfaqësim publik.
Shoqëritë e quajtura “demokratikisht të shëndetshme” konsiderohen të tilla si shkak i një ndërthurjeje kushtesh dhe ngjarjesh kombëtare historike, shoqërore dhe politike , ngjarje që kanë konsoliduar vetëdijen demokratike jo vetëm shoqërore dhe publike, por gjithashtu dhe vetëdijen politike të pushtet-ushtruesve , të tillët që bazohen në matjet përkatëse periodike mbi reagimin shoqëror ndaj ushtrimit të qeverisjes së tyre;- një vetëdije politike ku fushata zgjedhore bazohet në program të prekshëm politik dhe ideologjik dhe një bilanc llogaridhënës në kontekstin e synimit të kandidatit përkatës mbi përsëritjen e mandatit qeverisës; – një vetëdije politike që respekton vullnetin qytetar pavarësisht rezultatit përfundimtar zgjedhor duke mos (keq) përdorur secilin burim dhe avantazh pushteti për të deformuar vullnetin qytetar në vetvete .

Disa komponentë të përmendur më lartë përbëjnë konsolidimin demokratik shoqëror që tejkalon secilin qëllim negativ të shumicave politike për tjetërsim vullneti qytetar , shkelje të parimeve të pavarësisë së pushteteve apo secilës tentativë vertikale të ushtrimit të pushtetit në vetvete. Në demokracitë e klasifikura si të tilla “të konsoliduara dhe politikisht të shëndetshme” , reagimi qytetar ndikon në konsolidimin e vetëdijes politike , e tilla jo vetëm shoqërore por gjithashtu dhe të trupës përfaqësuese politike që mund të tërhiqen, dorëhiqen apo largohen vullnetarisht kur perceptojnë jo-pranueshmërinë e publikut qytetar ndaj të njëjtëve.

Reagimi shoqëror është i vështirë të jetësohet në “shoqëritë me demokraci në zhvillim” apo dhe në të tillat me “demokraci të munguar”, në vende të ndryshme përkatësisht në Rajonin e Ballkanit, mbetet i dukshëm evidentimi i figurave politike lokale-rajonale në vendet përkatëse që ripërtërijnë mandatet qeverisëse si shkak i kombinimit të faktorëve të përmendur më lartë duke ngërthyer proçeset elektorale përmes kapjes, intimidimit, shkurajimit të pjesëmarrjes qytetare në zgjedhje duke paracaktuar rezultatin politik zgjedhor;- pra, nëse në shoqëritë “me demokraci të konsoliduar” , kufizimi i mandateve mund të konsiderohet si një kufizim i ushtrimit të demokracisë ku qytetari vendos zhvillimin apo ndërprerjen e karrierës politike të individit, i njëjti vendos lirisht dhe demokratikisht për vijim të një qeverisjeje apo rotacion pushteti ; – në “shoqëritë me demokraci në zhvillim” ose “të njëjtën të munguar” , kufizimi i mandateve është një mundësi për të frenuar tendencën absolutiste pushtet-mbajtëse të figurave lokale-rajonale apo kombëtare, gjithashtu.

Kufizimi i mandateve është një nismë kushtetuese që kërkon vullnet politik për të dakordësuar fillimin e proçesit duke parashikuar shkallën e kufizimit, në nivelet hierarkike përkatësisht lokale ose qëndrore, në nivel politik apo dhe në të njëjtin shtetëror, në institucionet ku drejtuesit e të tillave burojnë nga vota apo emërimi politik apo dhe në institucionet ku emërimi politik nuk është një kriter detyrues. Kufizimi i mandateve është një zgjidhje e vështirë, e tilla nuk mund të jetë e përhershme, por e njëjta duhet të jetë e aplikueshme në periudhën kalimtare të proçesit të konsolidimit të demokracisë , përkatësisht nga e tilla “e cunguar” në të njëjtën “ të konsoliduar”.

Kufizimi i mandateve është një element që do të inkurajonte shëndoshjen politike të demokracisë duke kufizuar mendësinë dhe veprimin autoritarist dhe duke inkurajuar ndryshimin e përfaqësuesve politikë në mënyrë të vazhdueshme , përmes votës, vullnetit qytetar dhe duke votuar për të njëjtët nominalisht përmes listave të hapura.

Latest articles

Related articles