Grupi Parlamentar i PD, nuk ka të drejtë të bojkotojë!

Nga Indrit Vokshi

Personalisht nuk jam për hegjemoni të kryetarit në PD. Ajo lloj mënyre është dështim, ka rezultuar dështim dhe do të rezultojë dështim.

PD nuk mund të jetë as bajrak e as fondacion i kryetarit, cilidoqoftë kryetari. Nëse është fondacion, aty përfaqësohet vetëm klientela personale e kryetarit. Askush tjetër.

Jam më shumë pro gjithëpërfshirjes dhe drejtimit “konsorsium”, me disa grupe apo individë të cilët gjejnë konsensus dhe mbështesin një kryetar si interpretues të politikës së partisë. Sepse konsiorsumi me disa grupe, i jep më shumë fuqi partisë, përfaqëson më shumë rrjete interesash.

Statuti i PD (neni 44 pika 7), përcakton Kryesinë si organ i cili mundet t’i propozojë vendimmarrrje Këshillit Kombëtar. Nuk përcakton Sekretarin e Përgjithshëm.

Në nenin 47 të Statutit, Sekretari i Përgjithshëm ka përgjegjësi të ndjekë dhe të garantojë zbatimin e vendimeve të organeve qëndrore të partisë. Aq kompetenca ka. Asnjë kompetencë më tepër.

Ndërsa Grupi Parlamentar, sipas statutit (neni 48) nuk ka asnjë të drejtë mbi organet dhe mbi forumet e tjera të partisë. Nuk mundet tu imponohet atyre. Nuk ka më shumë vlerë Grupi se Kryesia. Statuti e ka përcaktuar shumë qartë pozicionin politik të secilit organ.

Grupi, ka një të drejtë si kryesia, vetëm t’i propozojë Këshillit Kombëtar vendimmarrje.

Duke pasur ketë mundësi, Grupi Parlamentar duhet të propozojë idetë e veta në Këshill dhe të lobojë për miratimin e tyre.

Pra që ta qartësojmë, sot në PD, kemi Kryesinë dhe Grupin Parlamentar të cilët po rivalizojnë njëri-tjetrin. Platformat e tyre, pikëpamjet e tyre se cila duhet të jetë rruga që duhet të marrë PD në vazhdim, ata duhet t’i përballin në Këshillin Kombëtar, siç Statuti e përcakton.

Cila platformë të miratohet nga Këshilli, ajo platformë të zbatohet nga të gjithë.

Grupi, le ta mundë Kryesinë në Këshill. Kjo do ishte politikë.

Nuk mundet Grupi Parlamentar të shantazhojë partinë me bojkot dhe me përçarje të re. Çfarë kuptimi ka shantazhi me bojkot? Në cilin nen të statutit bazohet? Në cilën mençuri politike bazohet vendimi për shantazh me bojkot?

Personalisht ndoshta kam mendime më të përafërta me Grupin Parlamentar, mirëpo ketë shantazhin me bojkot, nuk e pranoj. Sepse nuk më duket veprim i mençur.

PD nuk është Lul Basha, ska si të jetë. Sado që ai mund të mendojë se personifikon PD, e sado që edhe vetë Grupi Parlamentar, mund të mendojnë se ai e personifikon PD, ai nuk është. Kryetarët ndërrohen. Siç iku Saliu, një ditë do të detyrohet të ikë edhe ky tjetri. Nuk shkatërrohet mbretëria se të qëlloi princi me të meta.

Ndërrohet princi.

Ruajeni PD-në sepse janë mijëra shqiptarë që duan PD. 105 mijë e votuan pa dalë në fushatë, pa kryetar, pa takime, pa shpenzime, vetëm duke pasur siglën në fletë. Mijëra më shumë do ta votojnë me kryetar, me veprimtari aktive, me takime e me organizim.

Megjithëse mendoj se as bojkoti i Grupit nuk e asgjëson PD, sepse ka mijëra njerëz të gatshëm të punojnë falas për të, përsëri, kam dëshirë që Grupi të veprojë me mençuri dhe leverdi, pasi politikisht ata deputetë kanë vlerë politike, ndërsa në planin njerëzor janë miq tanët.

Latest articles

Related articles