Falsifikonin ID diplomatike, i arrestuari gjente personat që donin dokumente amerikane

Dy persona që falsifikonin pasaporta diplomatike, janë arrestuar nga Policia në Korçë. Në pranga kanë rënë Daniel Morava dhe Guri Pejo të dy banues në Korçë të cilët falsifikonin dokumenta diplomatike për persona që udhëtonin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Moravës i është caktuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’ ndërsa Pejos për shkak të moshës, i është caktuar masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’.

Hetimet e Policisë Kriminale për identifikimin e personave që kryejnë falsifikim të dokumenteve amerikane për shqiptarët kanë nisur rreth 3 muaj më parë dhe indicia u dha nga një grua e arrestuar në Rinas. Pas hetimeve me metoda të specializuara edhe me ndihmën e partnerëve, sidomos përmes përgjimeve, u identifikuan personat e parë që merreshin me këtë punë.

Daniel Morava, i arrestuar, kishte rol kryesor në falsifikim brenda vendit tonë, ndërsa Guri Pajo, i cili për shkak të moshës u la në “arrest shtëpie” ka rezultuar se kryente rolin e ndërmjetësit. Ai gjente personat që ishin të interesuar për të marrë një pasaportë amerikane të falsifikuar.

Aktiviteti kryesor i organizatës kriminale që bënte falsifikimin është jashtë vendit, por akoma nuk është përcaktuar se ku ndodhet baza e saj kryesore. Në bashkëpunim me partnerët amerikanë po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, teksa brenda vendit tonë janë edhe disa persona të tjerë që po mbahen nën vëzhgim.

Latest articles

Related articles