Të paktën 25 persona janë vrarë në një shkollë në Ugandën perëndimore nga rebelët e lidhur me grupin Shteti Islamik. Tetë persona të tjerë u plagosën pas sulmit në shkollën e mesme Lhubiriha, ndërsa një numër nxënësish rezultojnë ende të zhdukur.
Policia thotë se sulmi u krye nga Forcat Demokratike Aleate (ADF), një grup nga Uganda me bazë në Republikën Demokratike të Kongos.
“Deri më tani 25 trupa të pajetë janë nxjerrë nga shkolla”, tha zëdhënësi i policisë kombëtare Fred Enaga, raporton BBC.
Sulmi ndaj shkollës, që ndodhet më pak se dy kilometra nga kufiri i Ugandës me Republikën Demokratike të Kongos, është sulmi i parë i përmasave të tilla në një shkollë pas shumë vitesh.
Në qershor 1998, 80 studentë u dogjën për vdekje në konviktet e tyre në një sulm të Forcave Demokratike Aleate , ndërsa më shumë se 100 të tjerë u rrëmbyen.