Escobar: Nuk lejojmë një lider ta diktojë kursin e stabilitetit rajonal

I deleguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një konferencë online me gazetarë, ka theksuar se SHBA-të janë të vendosur të mos lejojnë asnjë lider në Ballkanin Perëndimor të tentojë ta diktojë kursin e stabilitetit rajonal.

Top-diplomati amerikan ka ripërsëritur kërkesën amerikane se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë konkretisht drejt stabilitetit si kusht për rrugëtimin e tyre drejt strukturave euro-atlantike.

“Ne kemi kërkuar nga të dy vendet që të bëjnë hapa për stabilitet, nëse duan të vazhdojnë rrugën e tyre drejt integrimit. Një vend dhe një lider nuk do ta diktojë kursin e stabiliteti rajonal, ata që refuzojnë partneritetin do kenë pasoja”, ka thënë Escobar.

Duke folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ai ka nënvizuar se Kosova nuk mund ta kundërshtojë implementimin e një mekanizmi të tillë, pasi refuzimi do të thotë kundërshtimi i rrugës së Kosovës drejtë integrimit në Bashkimin Evropian.Ai madje ka bërë të ditur se SHBA-të do t’i ndihmojë Kosovën që të ketë një Asociacion të modelit evropian.

“Një Asociacion funksional për serbët e Kosovës. Çfarë nuk kuptojmë është pse qeveria e Kosovës refuzon të bëjë diçka që është ligjërisht e obligueshme. Kryeministri Kurti thotë se është për implementimin e ligjit, edhe ky është implementim i ligjit. Njëjtë si edhe vendimi për Manastirin e Deçanit”.

Sipas Escobar, Kosova duhet të implementojë Asociacionin, pavarësisht çka bënë Serbia meqë Marrëveshja e Brukselit/Ohrit parasheh karota dhe shkopinj veçmas për secilin palë.

“Marrëveshja në fakt është Marrëveshje e pavarur me Bashkimin Evropian, ku secili shtet veçmas ka karotat dhe shkopinjtë e vetë. Prandaj për Kosovën që të insistojë në implementim nga ana tjetër implementimi ka të bëjë me Bashkimin Evropian prandaj ata pavarësisht duhet të lëvizin me Asociacionin, Serbia gjithashtu pavarësisht duhet të lëvizë përpara me një plan se si duhet t’i plotësojë detyrimet e veta po ashtu. Ne duhet të lëvizim përpara me implementimin e kësaj marrëveshjeje sa më shpejt që është e mundur”.

Escobar ka folur edhe për kidnapimin e tre policëve kufitarë nga shteti i Serbisë duke thënë se SHBA-të dhe KFOR-i do të presin hetimet zyrtare për këtë rast e më pastaj të deklarohen.

“SHBA dhe KFOR-i do të presin për atë që ndodhi në Veri. Do t’i presim hetimet, nuk është e hijshme të bëjmë deklarime para hetimeve. Por, policët duhet të lirohen patjetër, sido që të ketë qenë puna”.

Versioni zyrtar i Qeverisë së Kosovës për kidnapimin e policëve kufitarë ishte se të njëjtit u kapën thellë brenda territorit të Kosovës, por për Escobar gjetja e veturës në Kosovës dëshmon që e njëjta nuk ka kaluar në Serbi, por kaq.

“Nëse vetura është gjetur në Kosove do të thotë që vetura nuk ka kaluar në Serbi, por kjo dëshmon vetëm kaq, jo më shumë”.

I pyetur se mos kriza në veri mirëmbahet qëllimshëm nga të dyja anët, Escobar s’e hodhi poshtë këtë hipotezë.

Ka elementë që Kosova dhe Serbia po përdorin për t’u ushqyer nga kriza në terren.

Diplomati amerikan ka theksuar gjithashtu se do të ketë pasoja nëse Kosova dhe Serbia vazhdojnë të injorojnë kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për de-përshkallëzimin e situatës në Veri.

“Çdo që kemi bërë në ditët e fundit ka qenë për ta mbështetur Kosovën. Serbia s’ka dashur që Kosova të lëvizë përpara në Këshillin e Evropës ne e kemi mbështetur, Serbia s’ka dashur zgjedhjet, ne e kemi bërë. Serbia s’ka dashur të njohim autoritetin e kryetareve të rinj, ne e kemi njohur. Krejt çfarë nuk kemi dashur ne ka qenë që të mos përdoren ndërtesat sepse ishte krejt e panevojshme edhe për shkak të momentit”.

Escobar është pyetur edhe për vizitën e së premtes të ministrit Elbert Krasniqi në komunën e Leposaviqit.

Ai tha se tashmë ua kanë bërë të qartë edhe autoriteteve në Kosovë që “sa herë që ata bëjnë përpara, që përdorin ato ndërtesa si simbolikë, ata e dinë se dëmtojnë raportet e Kosovës me komunitetin euro-atlantik”.

Latest articles

Related articles