Dy taksa shtesë për banesat dhe tokën bujqësore, zbardhet plani i qeverisë Rama

Aranit Muraçi

“Ata që nuk e kanë por nuk e punojnë tokën dhe e mbajnë peng” atë, do ta kenë të vështirë ta mbajnë një të tillë pas ligjit të ri i cili po hartohet nga ministria e Financave dhe në fakt ishte paralajmëruar më herët nga kryeministri Edi Rama.

Edhe ata të cilët zotërojnë disa banesa ose prona të tjera të paluajtshme do të mendohen dy herë para se t’i mbajnë në pronësi si deri më tani, sepse taksa që do të vendoset për çdo pronë do t’i detyrojë që t’i nxjerrin në shitje.

Në fakt të dyja këto praktika ndiqen në perëndim nga thuajse të gjitha vendet e BE-së dhe shihen si promotor zhvillimi. E para toka bujqësore nuk mund të mbahen peng përmes pronësisë, nëse dikush që e zotëron atë dhe vendos të qëndrojë në emigrim apo nuk e vë në përdorim dhe dikush tjetër që nuk e ka, e humb këtë të drejtë edhe pse ka dëshirë të qëndrojë dhe të punojë në vendin e tij.

Drafti nëse do përfshijë anët pozitive siç është projektuar ka si qëllim që, përmes taksimit të tokës, të rritet prodhimi bujqësor dhe të ulet emigracioni, sikurse e njëjta gjë vlen edhe për banesat apo pronat e tjera të paluajtshme. Nxjerrja në shitje nga pronarët që zotërojnë më tepër se një banesë ose lënia me qira e tyre me qëllim që t’i shamngen taksimit do të ndikojë në uljen e çmimit të banesave, çka do të japë më shumë mundësi për të rinjtë që të blejnë një të tillë në vendin e tyre ku punojnë, për të mos u dekurajuar që të ardhmen ta ndërtojnë në vendin e tyre dhe jo në emigracion.

Sipas ministrisë së Financave, baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit (vendi) në metra katrorë të ndërtimit apo pjesë të tij, mbi dhe nën nivelin e tokës, dhe sipërfaqja e çdo kati. Sipërfaqja në pronësi të tatimpaguesit vlerësohet në bazë të dokumenteve që vërtetojnë një pasuri të tillë. Ndërsa taksimi do të varet edhe nga zona ku zotërohet prona. Tirana dhe Durrësi do të kenë një koeficient ndryshe nga taksa që do të paguhet në rrethe, për shkak të kërkesës më të madhe për të blerë banesa, apo edhe nivelit më të lartë të jetesës. Ende nuk është bërë e qartë por është projektuar që taksa të vijë në rritje për banesën e dytë, të tretë e kështu me radhë.

Sipas asaj që është projektuar nga qeveria, për taksën mbi tokën bujqësore baza është sipërfaqja e tokës bujqësore në hektarë, në pronësi të tatimpaguesit. Pronësia e këtyre tokave bujqësore përcaktohet në dokumentet që e vërtetojnë atë. Niveli i taksave për çdo kategori minimale të bazës së taksës dhe kategoritë minimale të tokës bujqësore, ndryshon gjithashtu sipas zonës ku ndodhet prona. Ministria e Financave i ka ndarë tokat bujqësore, para se t’i nënshtrohet taksimit mbi pronësinë, në katër zona. Në zonën e parë që do të ketë edhe një taksë më të lartë për çdo hektarë janë përfshirë Tirana, Durrësi, Kavaja, Kruja, Lezha, Lushnja, Fieri, Vlora dhe Saranda.

Delina Ibrahimaj ishte një ditë më parë në Fakultetin Ekonomik të UT, për të marrë mendimin e ekspertëve të departamentit të Financave para se të hartohet drafti që do të dorëzohet në Kuvend për miratim.

Ministrja Ibrahimaj u takua në Fakultetin e Ekonomisë, me drejtuesit, pedagogët dhe studentë, dhe tha se “diskutuam mbi një reformë të rëndësishme që po ndërmarrim siç është ajo e Taksës së Pasurisë”.

“Synojmë të ndërtojmë një sistem bashkëkohor për taksimin e pasurisë së paluajtshme, duke u bazuar në vlerën e tregut, por edhe duke e kthyer në burimin kryesor të të ardhurave për njësitë e qeverisjes vendore. Për këtë reformë ne po mbështetemi nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA) nëpërmjet projektit “ProTax Albania” që parashikon edhe krijimin e sistemit online për Kadastrën Fiskale”, tha ministrja. Nëse drafti i përfshin anët dhe qëllimin pozitiv, ai me siguri do të ketë efekt pozitiv në ekonomi dhe zhvillimin e vendit, por nëse i anashkalon ato apo zbatohet pjesërisht ose në mënyrë të njëanshme ligji jo vetëm që nuk do të ketë efekt, por mund të shoqërohet me pasoja të rënda.

Latest articles

Related articles