Kuqezinjte test brenda “familjes” para duelit me Moldavinë

Kombëtarja shqiptare po përgatitet intensivisht për duelin e radhës kundër Moldavisë në 17 qershor, të vlefshëm për eliminatoret e “Euro 2024”.

Seanca e radhës stërvitore u zhvillua në stadiumin “Elbasan Arena”, ku përfaqësuesja kuqezi ishte e plotë në organikë.

Pas programit stërvitor, trajneri Silvinjo organizoi edhe një ndeshje kontrolli 45-minutëshe, për të provuar module të ndryshme loje.

Tekniku i Shqipërisë kishte afruar enkas për këtë test brenda familjes edhe katër lojtarë nga Kombëtarja U-21, duke përfituar nga fakti që përfaqësuesja Shpresa është e grumbulluar në Elbasan për miqësoren e 20 qershorit ndaj Bullgarisë.

Gjatë këtij testi, Silvinjo pa nga afër disa mundësi mbi formacionin që do të luajë kundër Moldavisë, e cila do të luhet në Tiranë.

Pas kësaj seance në Elbasan, kuqezinjtë do të rikthehen në kryeqytet ku mes të tjerash të premten, një ditë para ndeshjes, është llogaritur edhe një seancë stërvitore në stadiumin “Air Albania” një ditë para ndeshjes zyrtare me Moldavinë.

Shqipëria është e pozicionuar në grupin E të eliminatoreve, pa asnjë pikë, duke qenë se mund në të vetmen ndeshje të luajtur deri tani kundër Polonisë në transfertë, ndërsa Moldavia është në kuotën e 2 pikëve, pas dy barazimeve të marra deri tani. Ndërkohë në 20 qershor kuqezinjtë do të luajnë një tjetër ndeshje, këtë herë në transfertë kundër Ishujve Faroe, të vlefshme për grupin E.

Latest articles

Related articles