“I bashkoi ideologjia, i ndau interesi kombëtar” – Analiza e Sebastian Zonja


Nga Sebastian Zonja

Sherri Kurti – Rama si tregues se kombi qëndron mbi ideologjitë politike

Ballkani i dy shekujve të fundit ka qenë një zonë ku Fuqitë e Mëdha kanë bërë eksperimente të ndryshme. Përplasja e tyre në këtë zonë ka sjellë edhe copëzimin më të madh të territoreve, ku secili kishte copën e vet dhe e shkëmbente me favore nëpër pjesë të tjera të botës.
Vakumi i krijuar pas rënies së Murit të Berlinit rezultoi në luftëra të përgjakshme. Me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, në Ballkan hyri fuqia më e madhe e kohës – Amerika. Kur një fuqi e madhe hyn, të tjerat fillojnë dhe largohen, pak nga pak.
Shqipëria është në NATO. Mali i Zi po ashtu. Kroacia dhe Maqedonia janë në NATO. Edhe Kosova duhet të futet në NATO.
Kjo është aleanca në afatgjatë me Amerikën. Kush mendon ndryshe, e ka shumë gabim. Ekstremizmat me ligjërime se amerikanët janë kolonizatorët perëndimorë dhe leksionet për komunizmën s’kanë vend kur flasim për çështje sigurie.
Situata sot është çështje sigurie, ndërkohë që shumë analiza mundohen ta kanalizojnë në “moral demokracie”. Janë pak të ndryshme.

Emërtesat tradhti dhe sovranitet janë futur këto ditë në lojë për të fshehur llogaritë e palëve – Tiranës dhe Prishtinës. Logjika se Rama i shërben Vuçiqit nuk shkon. Rama i shërben veç karriges së tij. Ramën në karrige e mbajnë BE dhe SHBA, jo Serbia dhe Rusia. Sa më e thjeshtë akuza, aq më e kollajtë për Ramën që ta kundërshtojë me aparatin e vet propagandistik.
Prej dekadash, patriotët shqiptarë kanë pasur një devizë – “Pa Kosovë e Çamëri s’ka Shqipëri”. Kur e analizojmë sot këtë devizë, shohim se përgjatë historisë, liderët kanë ndejtur në pushtet sa më gjatë, pikërisht kur nuk i kanë cekur këto dy tema.
Zogu pati marrëveshje me Pashiqin dhe italianët, ndërsa luajti sa me jugosllavët, sa me italianët. Njëjtë ka qenë edhe Esadi përpara tij. Enveri ishte më radikal. Ai e hoqi fare nga tekstet shkollore Kosovën. E kishte të pamundur ta mbante pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa më vonë u kris me Fadil Hoxhën, Mahmud Bakallin dhe politikanë të tjerë për shkak të linjës së tij politike.

Por çfarë po ndodh sot?

Në themel, Kurti duket sikur po lufton për shtetësinë e Kosovës, Rama për interesa të karriges së tij.
Albin Kurti e di shumë mirë se duhet të ulet dhe të negociojë apo rinegociojë Asociacionin. Po e shtyn sa të mundet. Rama po e godet Kurtin aty ku i dhemb më shumë. Inatet janë të forta. Ndërkohë që Kurti po bën llogari se si do ta rinegociojë Asociacionin, Rama del dhe ja hedh strategjinë në erë duke paraqitur një draftpropozim.
Të martën, Kurti dha një premisë për zgjidhje kur tha se Brukseli duhet të na përcaktojë radhën e zbatimit të pikave të Marrëveshjes së Ohrit. Por, faktikisht, si Brukseli, edhe Uashingtoni, i kanë thënë se do niset me Asociacionin.
Çfarë fitoi Kosova veç inatit të aleatëve në tavolinën e bisedimeve? Kjo pyetje meriton përgjigje përtej emërtesave me tradhti dhe sovranitet.

Ndërkaq, kjo që po ndodh mes Tiranës dhe Prishtinës dëfton diçka që duhet ta kuptojmë dhe rregullojmë sa më shpejt:

Kosova nuk ka fuqi ekonomike ne Shqipëri, që kjo të përkthehet më pas në fuqi politike. Jemi shumë larg njëri – tjetrit. Tarifa e traut në Kalimash, tarifat në dogana, letrat e firmosura kot nëpër mbledhje qeveritare… kanë qenë shoë. Asgjë s’ka lëvizur. Edi Rama e ka të thjeshtë të ndërmarrë veprime të njëanshme sepse s’ka asnjë faturë nga mbrapa. Akuzat për imoral, tradhtar, i shitur etj. nuk kanë ndonjë vlerë të madhe në elektorat dhe vota.
Albin Kurti që erdhi si nacionalist në pushtet s’ka ndërmarrë asnjë hap për zbatimin e ndonjë pike të përbashkët, por e ka kthyer krejt vëmendjen te Serbia, thua se pa Serbinë s’ka jetë në Kosovë. Pak ditë më parë, emisari amerikan Gabriel Eskobar tha gjatë një interviste: Ne e shohim Kosovën krah BE-së dhe SHBA-së, ndërsa qeveria e sheh veç përball Serbisë.

Kosova kthehet në kryetemë në Tiranë, sepse Tirana është bosh dhe nuk prodhon dot politikë, por mbahet me tema ditore. Albin Kurti kthen veriun në kryetemë të politikës kombëtare, sepse nuk del dot nga aktivisti i Vetëvendosjes, ndërkohë që duhet të ishte ulur me kohë që të negocionte radhën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Ku vajtëm? Aty ku ishim përpara disa muajsh. Veçse këtë radhë me inate të shtuara dhe besim më të pakët nga aleatët ndërkombëtarë, shtuar edhe Edi Ramën “armik” të shpallur publikisht.
Merrni rastin e Thaçit. Vinte nga lufta. Kishte plot dekorata. Kishte shpallur pavarësinë. Ishte pasuruar dhe kishte një karrierë politike të gjatë. Marrëdhëniet me Berishën i kishte të këqija, por asnjëherë nuk u shfaq një gjë e tillë në publik. Thaçi shkoi dhe ndërmori hapa për të shkëmbyer territore. Për disa ishte aventurë, ndërkohë që ai po kërkonte të zgjidhte një çështje që do të ngrinte gjithnjë krye mes Prishtinës dhe Beogradit. Dështoi. Turpin e mori me vete, por nuk ja la Kosovës.
Albin Kurti do të duhej që t’i ngjante pak Hashim Thaçit për nga intuita politike.

Pak më lart, në Beograd, Aleksandër Vuçiçi duket si personi më i qetë në gjithë këtë zallamahi. Fijet e tij në Tiranë dhe Prishtinë janë të gjata. Dashuria për pushtetin e këtyre tanëve është tejet e madhe. Makineria serbe e ka kuptuar me kohë – pushtet dhe para duan politikanët shqiptarë. Shihni emisionet e mbrëmjes në Prishtinë dhe Tiranë për të dalluar kush paguhet, kush është militant, kush e ka seriozisht dhe kush është me vërte patriot.

Latest articles

Related articles