POP – Dua Lipa vendos rekord në Spotify. Ja çfarë ka ndodhur

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa ka arritur të vendosë një rekord të jashtëzakonshëm sa i takon dëgjimeve në Spotify, ku është kthyer së fundmi në të parën artiste femër, një album i së cilës është dëgjuar mbi 11 miliard herë në platformën digjitale.

Ky sukses përkthehet në një arritje shumë të madhe edhe për faktin se “Dua Lipa” ka qenë albumi i saj i parë dhe në gjithë karrierën e saj, këngëtarja ka nxjerrë vetëm dy albume në tërësi (Future Nostalgia i dyti).Si një ndër fytyrat më të njohura të botës së muzikës pop sot, Lipa përflitet për stilin e risjellë në skenë, “disko pop”, me variete performancash të frymëzuara nga hite të viteve 80’ dhe melodi lehtësisht të evidentueshme elektronike dhe funk.

Fituesja e çmimeve Grammy ka qenë pikë referimi sa i takon rrymës pop në vitet e fundit dhe është parë si një pasuese e denjë e ikonave si Madonna, apo Britney Spears, me sukseset e korrura gjatë kohës së shkurtër që ka në treg.

Në albumin “Dua Lipa”, hitet kryesore të radhitura lart në renditjet e Billboard apo ato globale, përfshijnë “New Rules”, “Blow Your Mind”, “IDGAF”, apo edhe këngën që e hodhi në tregun muzikor, “Be the One”.

Nga ana tjetër, me Future Nostalgia, ajo e çoi suksesin një hap më tej, duke u globalizuar si një “pop icon” dhe duke marrë vëmendje mediatike më të madhe.

Së fundmi, Lipa e ka treguar se nuk do t’i ndahet ritmeve disko pop, pasi në kolonën zanore të prodhuar për filmin e shumëpritur “Barbie”, melodia e “Dance the Night” është tejet e identifikueshme po me ato ritme, duke vërtetuar edhe synimin e saj për të qenë e qëndrueshme dhe e palëkundur në stilin e krijuar.

Latest articles

Related articles