Papa Françesku për PPE: që Evropa e bashkuar të jetë sot “projekt me frymëmarrje globale”

Audienca e Papës Françesku me anëtarët e Grupit të Partisë Popullore në Parlamentin Evropian qe caktuar për datën 9 qershor, në Vatikan. Takimi nuk u bë, por Papa, nga Spitali Gemelli, i dërgoi kreut të Grupit, Manfred Weber një mesazh, në të cilin i nxit parlamentarët të ndërgjegjësohen lidhur me përgjegjësinë e politikanëve të krishterë “për ta përkthyer ëndrrën e madhe të vëllazërisë në veprime konkrete të politikave të mira në të gjitha nivelet”

  • R. SH. – Vatikan

Përgjegjësia e politikanëve të krishterë, trashëgimia shumë e pasur e doktrinës shoqërore të Kishës mbi të cilën mund të mbështeten në punën e përditshme, ideja e një Evrope të aftë të bashkojë unitetin dhe larminë e kulturave, nevoja për vizionin e lartë të politikës, që konkretizon ëndrrën e vëllazërisë dhe u siguron të gjithë burrave dhe grave të kontinentit një jetë që respekton njeriun. Këto janë disa nga porositë e mesazhit që Papa Françesku ia dërgoi kreut të Grupit të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Manfred Weber. Teksti mban datën 9 qershor, ditë në të cilën qe caktuar seanca dëgjimore me parlamentarët e PPE, anuluar më pas për shkak të shtrimit të Papës në Poliklinikën Gemelli.

Të kapërcehen distancat ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve
Papa kujton vizitën e tij në Parlamentin Evropian, në nëntor 2014, dhe dëshiron të ofrojë disa pika për reflektim. E para lind nga pakësimi i interesit të njerëzve të thjeshtë për Parlamentin Europian, në krahasim me zgjedhjet e para të anëtarëve të institucionit, prandaj është e nevojshme – shkruan – “të kujdesemi mirë për marrëdhëniet ndërmjet qytetarëve dhe deputetëve”:

“Ky është problemi klasik i demokracive përfaqësuese. E nëse tashmë është e vështirë të mbash gjallë lidhjen brenda çdo vendi, aq më tepër me Parlamentin Evropian, që është edhe më “larg”. Pa harruar se sot komunikimi mund të ndihmojë shumë për të kapërcyer distancat”.

Për parlamentarët duhet formim i përhershëm
Një pikënisje e dytë është pluralizmi, i parashikuar në një grup të madh parlamentar por – nënvizon Papa Françesku – për disa parime dhe vlera etike “duhet të jemi të bashkuar” . E për këtë nevojitet formimi i duhur i anëtarëve. Më pas vëren:

“Është normale që edhe ju të keni nevojë për çaste studimi dhe reflektimi në të cilat të thelloheni dhe të diskutoni çështjet më të rëndësishme nga pikëpamja etike. Është sfidë emocionuese, që luhet, mbi të gjitha, në nivelin e ndërgjegjes dhe që nxjerr në pah edhe cilësinë e atyre që merren me politikë. Politikanët e krishterë duhet të dallohen nga serioziteti me të cilin trajtojnë çështjet, duke refuzuar zgjidhjet oportuniste dhe duke u mbajtur gjithmonë fort pas kritereve të dinjitetit të njeriut dhe të së mirës së përbashkët”.

Doktrina Sociale e Kishës, si pikë referimi
Françesku u kujton parlamentarëve “një trashëgimi shumë të pasur, e cila mund të shfrytëzohet për të sjellë kontributin tuaj origjinal në politikën evropiane, domethënë, Doktrinën Shoqërore të Kishës” dhe, në veçanti, nënvizon dy parimet e solidaritetit dhe ndihmës:

“Ka aspekte etiko-politike, të lidhura me secilin nga këto dy parime, që ju i ndani me kolegë të përkatësive të ndryshme, të cilët respektivisht theksojnë njërën ose tjetrën; por gërshetimi i të dyjave, fakti i aktivizimit të tyre së bashku dhe i funksionimit të tyre në mënyrë plotësuese, i përket pikërisht mendimit social dhe ekonomik të frymëzimit të krishterë, prandaj i besohet veçanërisht përgjegjësisë suaj”.

Për Evropën, frymëzim i lartë dhe i fortë
Themelore, pra – vazhdon Papa Françesku – është të zotërojmë vizionin e një Evrope “që lidh së bashku unitetin dhe larminë”, që ka parasysh shumëllojshmërinë e kulturave dhe identiteteve të ndryshme të popujve e që, njëkohësisht, me institucionet dhe nismat e saj, është në gjendje të sigurojë “që ky mozaik shumë i pasur të kompozojë figura koherente”:

E për këtë na duhet një frymëzim i fortë, një “shpirt”, e sa më pëlqen të them se na duhen “ëndrrat”. Kemi nevojë për vlera të larta dhe vizion të lartë politik. Me këtë nuk kam ndërmend të zvogëloj rëndësinë e menaxhimit të zakonshëm, të administrimit të mirë normal, përkundrazi, nëse kjo është e mirë, tashmë është shumë. Por kjo nuk mjafton, nuk mjafton për të mbështetur një Evropë përballë sfidave të mëdha globale të shekullit të 21-të. Për të përballuar sfida të tilla si Evropë e bashkuar, duhet një frymëzim i lartë dhe i fortë.

Ideja origjinale e themeluesve të Evropës së bashkuar, duke shikuar botën
Papa tërheq vëmendjen drejt parimit frymëzues të ndërtimit gradualisht në rritje të një Evrope të bashkuar, pas tragjedive të luftërave të shekullit të kaluar. Ndaj shkruan:

“Cili është ideali, nëse jo ai i krijimit të një hapësire ku mund të jetohet në liri, drejtësi dhe paqe, duke respektuar njëri-tjetrin në larmi? Sot ky projekt është vënë në provë në botën e globalizuar, por mund të rifillojë duke u mbështetur në frymëzimin origjinal, më i rëndësishëm se kurrë dhe frytdhënës jo vetëm për Evropën, por për të gjithë familjen njerëzore”.

Duke iu afruar përfundimit, Papa në mesazhin e tij fton të shikojmë të rinjtë, të parët që mendojnë për jetën e tyre brenda horizontit europian, në të cilin lëvizin, studiojnë dhe punojnë. Le t’i shikojmë – shkruan ai – të rinjtë dhe të mendojmë për një Evropë dhe një botë që i realizon ëndrrat e tyre!

Latest articles

Related articles