Qindra milionë euro humbjet e shqiparëve nga rënia e Euros. Kush fitoi prej zhvlerësimit të saj?

Aranit Muraçi

Monedha Europiane jo më larg se një vit më parë luhatej nga 124 deri në 125 lekë, ndërsa sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë Euro këmbehet sot me 105.7 lekë, duke rënë sërish me 0.77 pikë në krahasim me dy ditë më parë.

Rënia e euros në raport me lekun në fakt nuk është ndalur, si përgjatë fundit të vitit 2022 po ashtu edhe përgjatë gjysmë së parë të këtij viti. Si mund të shpjegohet kjo rënie drastike e saj?

Nuk ka asnjë të dhënë zyrtare që në këtë periudhë forcimi të lekut monedha euro të jetë futur në një sasi të atillë në tregun shqiptar, krahasuar me vitet e kaluara, sa të justifikohet tronditja e saj, si asnjëherë tjetër gjatë dy dekadave të fundit.

Ndaj edhe rënia e saj gjatë muajve të parë të këtij viti mbetet sa e pashpjegueshme po aq edhe e palogjikshme sipas ligjeve të tregut, rënie që pritet logjikshëm të vazhdojë për shkak mbërritjes së turistëve dhe të emigrantëve gjatë muajve të verës për pushime.

Sipas të dhënave zyrtare mbi gjysma e depozitave në bankat shqiptare të nivelit të dytë është në valutë të huaj dhe për të gjithë depozituesit rënia e euros do të thotë humbje sipas madhësisë së depozitave të tyre.

Ndonëse euro nuk është monedha bazë e vendit tonë, nënçmimi i saj i pazakontë kundrejt lekut ka ndikuar negativisht në ekonominë shqiptare. Rreth 250 milionë euro llogaritet humbja deri tani e bizneseve të cilat eksportojnë produktet shqiptare jashtë. Qeveria ka premtuar heqjen e taksës ndaj fitimit si masë lehtësimi, por pavarësisht kësaj, disa biznese ankohen se po falimentojnë dhe nuk e njohin një të tillë.

Po ashtu veç familjeve shqiptare të cilat kanë kursime në euro, humbje kanë pësuar edhe ato familje të cilat e sigurojnë jetesën nga dërgesat e emigrantëve, remitancat.

Gjatë vitit 2022 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, dërgesat e emigrantëve prekën rekord historik duke arritur vlerën e 833.7 mln eurove.

Nga rënia e euros gjatë periudhës së krizës, sipas përllogaritjeve humbja në total e familjeve shqiptare që mbahen nga remitancat është rreth 150 milion euro.

Humbjet nënkuptojnë rënie të fuqisë blerëse dhe më pak investime. Kështu kur të gjithë duket se kanë humbur, bizneset, qytetarët dhe mbarë ekonomia, pyetja që shtrohet është se kush ka fituar dhe më kryesorja, rënia e euros ishte artificiale apo e ndikuar nga tregu dhe në fund të fundit kujt i ka shërbyer.

Latest articles

Related articles