Muzika e autobusëve – ndotje akustike e pakërkuar

Nga Eugen Latifi

Shkova në Tiranë me autobuz. Rruga zgjati tri orë. Tek ulëset para meje ndodhej një grua me vajzën e vogël pranë.

Sa u nisëm, filloi muzika. Askush nuk kërkoi të luhej ndonjë këngë. Gjithsesi, shoferi e ndezi muzikën pa pyetur njeri dhe e ngriti volumin në kupë të qiellit.

Në fillim po këndonte njëri i komunitetit rom:
– “Luje belin për mu rak-tak-tak!”

Pasi mbaroi, nisi një këngë tjetër e tipit:
-“E veshur sonte thjesht
me një minifund
për inatin tënd
sonte do ta tund.”

Pas kësaj, filloi Mëzi (Pony – Poni):
– “Vajzat tona s’janë fasada
janë të mira si Beniada.
Sot në club kërcen lambada
dukesh bukur si Beniada.
Ke shumë klas dhe je sharmante
si Beniada elegante.”

Më pas vuri Noizyn me Stresin:
– “Më thuj kush o tash me na nal
tu q* karriera, sakat
dy lëvizje shah mat
dy legjenda ku m’i kap.
Hyra në koncert eskortë,
fly shpejt Concord
super p*dha t’ron në tokë
thyhet club-i bie në tokë.”

Vajzës së vogël që ndodhej afër mamit, siduket i vranë veshin fjalët “q*j, p*dha” dhe direkt mbuloi veshët për të mos dëgjuar më tej.

Gjithë pjesa e mbetur e rrugës u shoqërua me muzikë me volum të lartë. Mbërrita te terminali në Tiranë. Shkova të marr urbanin e Kamzës për të shkuar në qendër.

Po e njëjta situatë. Luhej muzikë pa pyetur njeri. Ishte vënë një tjetër këngë e Noizyt e tipit:
– “Na na na thirrëm kapiten
na na na si refren
na na na do ha bukë me koçokrem.”

Të vetmet çaste qetësie në urban ishin fjalët e regjistruara të asaj gocës te citofoni:
– “Stacioni i radhës – Gazheli, dhë nekst stejshën – Gazheli, stacioni i radhës Prapa Pesëmbëdhjetë-katëshit, dhë nekst stejshën – Bihaind Pesmëdhjetkaçit.”

Kishte shumë trafik dhe rruga për në qendër zgjati diku te gjysmë ore. Në tri orë e gjysmë u bombardova me këngë me volum të lartë, me mendësi të prapambetur, me fjalë fyese, me poshtërsi. Nuk më pyeti njeri nëse doja të isha pjesë e kësaj hapësire. U detyrova të marr pjesë. S’kisha zgjidhje tjetër.

I njëjti bombardim ndodh përditë në urban, në autobuz, në kafene, në rrugë kur kalon si dhe gjetkë. Sikur kjo hapësirë muzikore të zëvendësohej me diçka edukuese, për shembull, do të sillte ndryshim për mirë.

Latest articles

Related articles