Të luftojmë që kudo ku ka Shqiptarë, ata të vetëqeverisen, të jenë të arsimuar dhe të pasur


Nga Admir Malaj

Ka një problem të madh në të kuptuarit ndërmjet shqiptarëve nga kjo anë e kufirit dhe nga ata në anën tjetër.

Territoret e Kosovës nuk u çliruan nga Shqiptarët. Në fakt, në perspektivën nacionaliste, ata nuk janë ende të çliruara.

Krahina e Kosovës është një shpikje Serbe, ashtu siç Greqia është një shpikje bavareze.

Mund t’i hyjme historisë dhe të zbulojmë se në fakt ajo që ne quajmë krahinë e Kosovës, ose Republikë e Kosovës është Vilajeti i Prizrenit (1868), më parë Petrzen (si pjesë e Bizantit ku fiset lokale kanë pasur zyrtarë, ushtarakë e perëndorë), më parë akoma Prizreni quhej Theranda, ndërsa Kosova (emër sllav) quhej Dardani.

Me këto emrat e fundit po që mund të flasim për çlirim të trojeve Shqiptare, sepse janë pjesë e kulturës sonë. Edhe pse propaganda sllave ja ka mbushur mendjen shume shqiptareve se jane kulture turko-arabike.

Miq, fjala vjen e para dhe mbi fjalët ndërtohet mistika e një Kombi.

Pse u nderrua emri ne Vilajet të Kosovës 9 vite më pas (1877)? Ndoshta lobim i qarqeve serbe që tek Porta e Madhe kishin dhjetëra gra e vajza që u merrnin mendtë vezirëve e sulltanëve. Ndoshta! Kjo mbetet mister. Por serbëve u bëri punë kjo gje, për të mbajtur gjallë mistikën e Kosovës.

Gjithsesi, sot jemi para faktit që shqiptarët e Kosovës i kanë mbushur mendjen vetes se kanë çliruar Kosovën. Më keq akoma, i kanë mbushur vetes mëndjen se ekziston një popullsi me emër “kosovar”. Që ekziston një forcë e quajtur UÇK që paska qenë vendimtare në çlirimin e trojeve.

Më ndjeni për ata dhjetëra mijëra viktima dhe heronj të rezistencës. Ata janë martirë! Patjetër! Por ishte fuqia e zjarrit e Natos dhe diplomatët e Perëndimit që vendosën që Republika e Kosovës të vetëqeverisej nga shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, romët e pakica të tjera ende për t’u identifikuar, të gjithë bashkë e pa ndasi.

Pra nuk e çliroi njeri Kosovën që t’ja jepte shqiptarëve, por thjesht u krijua një Republikë e re, ku minoritetet e ndryshme do vetëqeveriseshin.

Në këtë kuptim, unë personalisht e shoh Republikën e Kosovës në të njëjtën perspektivë siç shoh Republikën e Greqisë, atë të Maqedonisë së Veriut apo të Malit të Zi, si territore të banuara kryesisht nga shqiptarë, që janë kanë mbushur mendjen vetes që nuk janë shqiptarë por janë kosovarë, grekë, maqedonas apo malazezë, e që i kanë çliruar ata vetë vendet e tyre, kur në fakt janë thjesht protektorate gjermanike.

Edhe pse Kombi Shqiptar nuk lindi kurrë, Kultura Shqiptare është kulturë dominante në Evropën Juglindore. Ne duhet ta mbrojmë atë, si pasuri Botërore. Ta mbrojmë nga ata që mendojnë se po e çlirojnë kur në fakt po e vrasin me barbarizma, me sjellje jo-shqiptare, me sjellje sllavo-gjermanike. Duke filluar nga radikalizmi fetar deri tek ekstremizimi i majtë e i djathte, fenomene tipike te kulturave sllavo-gjermanike.

Ne (shqiptarët) duhet ta kuptojmë mirë situatën ku jemi dhe mos biem pre e provokimeve. Ne së pari duhet të pranojmë natyrën multietnike të Republikës së Kosovës, si dhe të luftojmë që të mos venitet ajo në Malin e Zi, Republikën e Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjes dhe Hercegovinës, Greqisë dhe Turqisë.

Ne duhet të luftojmë që kudo ku ka Shqiptarë, ata të vetëqeverisen, të jenë të arsimuar dhe të pasur, me pushtet të njohur. Ne duhet të luftojmë që çdo shqiptar autokton, kudo ku ndodhet, të ketë së paku të drejta të barabarta.

Por nuk duhet të harrojmë kurrë që Nato na ka ndihmuar nga asgjesimi, e prandaj duhet të jemi të matur me ta, mirënjohës, e pranojmë dhe disa sakrifica, sepse Shqiptarët nuk janë ende të çliruar.

Latest articles

Related articles