Ndërkohë që situata politike në Shqipëri sa vjen dhe bëhet më e rëndë sidomos në kampin opozitarë, Britania e Madhe, duket se tashmë e ka bërë gati listën e re për Shqipërinë me persona non grata nga ky vend. Lajmin e ka dhënë ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë Alastair King-Smith, në një intervistë në emisionin “Real Story”.
Ak kohë më parë në mediet shqiptare rrodhi informacioni nga burime konfidenciale se disa biznesmenë, pronarë mediash, deputetë, ish-presidentë, ministra dhe ish-ministra në Shqipëri janë pjesë e “listës së zezë” së Anglisë. Madje mësohet se disa ish-ministra të qeverisë “Rama” dhe të Partisë Demokratike, tashmë e kanë marrë njoftimin nga Londra se janë shpallur “non grata”. Ata akuzohen për korrupsion, për pastrim parash, përfshirja në afera dhe blerje votash.
Më herët deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka bërë të ditur gjatë një prononcimi për mediat se shpalljet ‘non grata’ do të vijojnë. Alibeaj pohoi para gazetarëve se ka zhvilluar një vizitë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa mes të tjerash zbuloi se atje i është thënë se do të shpallen ‘non grata’ të gjithë ato që minojnë demokracinë.
“Ata do vijojnë me procedurën e shpalljes non grata të gjithë personave që marrin pjesë në minimin e demokracisë. Unë protestoj gjithmonë, bazuar në ligj, mbi fakte dhe e kam bërë këtë gjithmonë, në mënyrën më serioze. Do jem gjithmonë atje ku kërkohet goditja e drejtpërdrejtë e kryeministrit. Do ta shohim këtë punë, e kam dhënë përgjigjen, sot jemi për një çështje të rëndësishme”, deklaroi Alibeaj.
Ndërkohë dy ditë më parë ambasadori britanik në një intervistë në Top Channel, i konfirmoj të gjitha këto.
“Kur bëhet fjalë për sanksione dhe veprime që duhen marrë për ata që ne gjykojmë se janë përfshirë në veprimtari kriminale dhe korrupsion, sërish ne ndjekim një qasje të balancuar. Kjo nuk shënjestron asnjë individ, sikurse e përcaktoi qartë Lord Peach, kur njoftoi atëherë valën e parë të sanksioneve, në korrik të vitit të shkuar, ata ishin kundër një sërë individësh. Sikurse e dini, kur bëhet fjalë për kufizime të hyrjes ne MB, si në këtë rast, ne nuk i deklarojmë emrat, pra jo gjithkush e ka bërë publike përfshirjen e tyre në këtë valë sanksionesh. Por, sikurse edhe e thashë më parë, do të ketë valë të tjera sanksionesh kundër atyre të përfshirë në veprimtari kriminale dhe korrupsion”, tha ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith.
Qëllimi i sanksioneve, sipas tij, nuk janë thjesht individët, por llogaridhënia. Kjo do të thotë që të gjitha faktet që disponon Brtitania e Madhe për këta persona që do të sanksionohen do të kalojnë në SPAK për tu hetuar dhe më pas të jepet llogari dhe të bëhet drejtësi.
“Askush nuk qëndron mbi ligjin. Duhet të zbatohet për të gjithë në mënyrë të balancuar, jo e përqendruar vetëm te një parti politike apo grup. Këto janë vendime që janë ndërmarrë nga Ministri i Punëve të Jashtme, nga Ministri i Punëve të Brendshme, pra në krye të Qeverisë, bazuar në informacionet dhe provat që ne kemi. Çështja këtu është se kjo mund të zbatohet për të gjitha grupet politike, mund të zbatohet për biznesmenët, për kriminelët dhe individë të tjerë, dhe nuk përqendrohet te një grup individësh ose partish politike”, tha Alastair King-Smith.
Ambasadori britanik shtoj se ekziston mundësia që të jenë sanksione publike, pra jo vetëm ndalime të hyrjes në Britaninë e Madhe, por mendohet se edhe emrat do të bëhen publikë. Deri më tani i vetmi emër që është bërë publik është Berisha, vendim që u mor në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që Bashkimi Europian, ende nuk i është bashkuar sanksioneve të ngjashme. Sikurse për vendimin e amerikanëve, edhe për këtë “non grata” britanike, Sali Berisha ka bërë përgjegjës kryeministrin Edi Ramën. Po ashtu, kryedemokrati e fajësoi ambasadorin për shpalljen e tij non-grata nga Mbretëria e Bashkuar, duke thënë se ambasadori ka keqinformuar qeverinë britanike. Berisha e cilësoi King-Smith si “racist ose të korruptuar” dhe tha se do të kërkojë të drejtën në Britani.